Sfida ndaj Bylisit, Bubeqi: Kjo ndeshje vlen sa një vit, leverdis fusha e mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2022 | 14:28

Sfida ndaj Bylisit, Bubeqi: Kjo ndeshje vlen sa një vit, leverdis fusha e mirë

Besa vendosi ta presë Bylisin në… Ballsh. Me një kundërshtar që këkron thjesht të festojë, mendojnë se do ta kenë më të lehtë misionin: mbijetesën direkte. Edhe pse vendimi është më shumë se i çuditshëm dhe paragjykimet lindin natyrshëm, askush nga rivalët nuk është ankuar deri më tani. Vetë Dorjan Bubeqi qartëson se i leverdis të luajë në “Adush Muça”.

Bubeqi

Aq herë sa është ankuar për fushën e Luzit, mendon se terreni në 90 minutat e fundit do t’i japë dorë. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, ai shpjegon se fjalën e fundit për këtë spostim e ka marrë presidenca:

“Unë kam folur shumë herë me presidentin Bizhdili dhe ia kam bërë të qartë se disa herë shkak i mungesës së fitoreve në shtëpi ka qenë edhe gjendja jo optimale e fushës.

Me sa duket, ai ka gjykuar se terreni i ‘Adush Muçës’ i shërben më mirë synimit që kemi. Vendime të tilla i merr presidenca dhe jo ne trajnerët. Ne do të udhëtojmë drejt Ballshit me objektiv fitoren, por do na duhet të jemi të kujdesshëm.

Terreni i ‘Adush Muçës’ të krijon komoditetin për të dalë në lojën tënde. Përballë do të kemi një ekip si Bylisi që mezi pret të mbarojë 90-minutëshi për të festuar dhe një Besë që 90 minutat do t’i duken baras me 1 vit, derisa të dalin të fituar.

Jemi po ashtu koshientë se jo gjithçka do të varet vetëm nga ne, pasi në lojë janë edhe Turbina e Pogradeci. Uroj që në fund të sfidës, rezultatet të flasin në interesin tonë”, përfundoi numri një i stolit të verdhezinjve.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"