Sfida ndaj Burrelit, Mërgjyshi: I kënaqur nga Kupa, ja synimi i Korabit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2021 | 12:34


Sfida ndaj Burrelit, Mërgjyshi: I kënaqur nga Kupa, ja synimi i Korabit

Pas eliminimit nga Kupa, Korabi i ka hedhur sytë nga kampionati, ku kanë edhe objektivat. Të dielën, dibranët do të presin në Peshkopi rivalët e Burrelit. Të dyja ekipet bëjnë pjesë në të njëjtin qark dhe takimi konsiderohet si një derbi. Trajneri i Korabit, Artan Mërgjyshi, për “Panorama Sport” në prag të kësaj sfide u shpreh:

Mergjyshi

“Pavarësisht eliminimit nga Kupa, jam i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve të mi për atë që dhanë në fushën e lojës, edhe pse aktivizova futbollistët që kishin më pak minuta të luajtura në kampionat. Tani kapitulli i Kupës u mbyll për ne dhe e gjithë vëmendja është përqendruar në kampionat.

Objektivi ynë është Superiorja, ndonëse gara është tepër e fortë. Ka shumë ekipe të mira që pretendojnë, por ne shohim punën tonë dhe tani po mendojmë për ndeshjen e së dielës, ku kemi derbin e qarkut ndaj Burrelit dhe e kemi vlerësuar në maksimum. Matjanët kanë një ekip të fortë, me lojtarë cilësorë, që e ka treguar veten, ku më mirë luan në transfertë.

Por ne do të luajmë lojën tonë dhe do të futemi në fushë për rezultat pozitiv. Do të kemi edhe mbështetjen e tifozëve, ndërsa ekipi është i plotë. E vetmja mungesë është Muça, i ndëshkuar me të kuqe në ndeshjen ndaj Erzenit”.

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL