Sfida me Tiranën, Dalipi: Luajmë me të rinj, na duhet freski në… Burrel

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2023 | 10:09

Sfida me Tiranën, Dalipi: Luajmë me të rinj, na duhet freski në… Burrel

Skuadra verdhejeshile ka mbyllur përgatitjet në kuadrin e ndeshjes së sotme me Tiranën. Seanca e fundit stërvitore është zhvilluar dje në mesditë në stadiumin “Roza Haxhiu”.

Klevis Dalipi

Menjëherë pas procesit stërvitor, trajneri Klevis Dalipi në një intervistë enkas për gazetën “Panorama Sport” foli për merkaton e dimrit, situatën pas saj dhe ndeshjen e kthimit me Tiranën.

Profesor, a jeni i kënaqur me merkaton e dimrit?

Unë mendoj që në kohë rekord, në kushte shumë të vështira, në rrethana që lojtarët janë me kontratë, kemi bërë më të mirën e mundshme. Duke ditur që duhet të jemi të kujdesshëm në kohë dhe në harxhimin e financave. Pra, duke i marrë parasysh të gjitha këto, unë mendoj se kemi afruar lojtarët më të mirë për momentin. Edhe nga kushtet, nga mundësitë që na janë afruar.

Klubi konfirmoi edhe afrimin e Ali Samake, një afrim i rëndësishëm?

Patjetër që ai është një vlerë e shtuar. Dua të falënderoj edhe presidentin, sepse ai mund të shkonte edhe në një skuadër tjetër. Por që ai të vijë këtu na e bëri të mundur presidenti i Dinamos. Për ne është vlerë e shtuar si lojtar, por duhet ta tregojë këtë në fushë. Risitë ose këta lojtarë të rinj që kanë ardhur, do të jenë shumë të vlefshëm nëse bëjnë të pamundurën, për të dhënë maksimumin e tyre për t’i shërbyer skuadrës së Lushnjës dhe jo vetëm individit, personit që po vjen këtu te Lushnja.

Zdrava dhe Llacja do të jenë pjesën e Lushnjës?

Ne kishim shumë mundësi të afronim lojtarë të tjerë. Më kanë ardhur pafund lojtarë që donin të na bashkoheshin. Por unë nuk mund të bëj prova me lojtarë. Ndërsa këta lojtarë që kanë ardhur, unë i njoh të gjithë dhe nuk mund të bëja prova. Sigurisht, në rrethana të tilla më mirë i hap vendin një lushnjari, sikurse është rasti i Zdravës, për të qenëpjesë e skuadrës. Këta e kuptojnë më mirë sesa një i huaj që vjen nga jashtë se në çfarë rrethanash dhe kushtesh ndodhemi ne në këta katër muaj. Kështuqë unë me shumë dëshirë pranova meqë mbeti një vend bosh. Është edhe fati i tij. Edhe Llaci po kështu, të paktën janë shqiptarë. I vetmi i huaj që ka ardhur është Ali Samake ngaDinamo. Të tjerët janë të gjithë vendës, të cilët do të më kuptojnë mua që flas shqip. Të kuptojnë qëllimin e situatës. Tani merkatoja u mbyll. Radha është e ndeshjeve. Sigurisht që do të mendojmë për të gjitha ndeshjet një nga një.

Diçka për sfidën me Tiranën?

Do të bëjmë disa ndryshime. Sigurisht për të parë dhe për t’u dhënë mundësi edhe atyre që nuk kanë luajtur. Por edhe që të jemi sa më të freskët në ndeshjen e ardhshme me Burrelin. Megjithatë, edhe në këtë ndeshje të kthimit të Kupës këta futbollistë që po aktivizohen tani duhet të paraqiten në mënyrën e tyre më të mirë, edhe pse luajnë ndeshjen e kthimit me Tiranën.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"