Sfida me Lushnjen, Mërgjyshi: E vështirë, do të kërkojmë… vazhdimësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2022 | 11:36

Sfida me Lushnjen, Mërgjyshi: E vështirë, do të kërkojmë… vazhdimësinë

Korabi nuk ka në plan që të prishë “kolonën” e fitoreve në ndeshjet shtëpiake. Zyrtarisht nuk e njohin humbjen, ndaj edhe me Lushnjën kanë të njëjtin mision: të marrin pikët e plota dhe blindojnë vendin e tetë.

MERGJYSHI

Edhe pse llogaritë do t’i bëjnë me mungesën e kapitenit Mziu dhe mesfushorit Raza, trajneri e ka gjetur zgjidhjen për 11-shen. Hall më vete është vetëm terreni, që është rënduar nga reshjet e dendura në 24 orët e fundit.

Artan Mërgjyshi tregohet si gjithnjë diplomat në deklarata e tij dhe nuk ngurron që të vlerësojë kundërshtarin, ndonëse luan për objektiva krejt të kundërt.

“Kemi pasur gjithë kohën e duhur për të përgatitur këtë sfidë. Do të jetë një takim i luftuar nga ne pasi do të kërkojmë të ruajmë vazhdimësinë e rezultateve pozitive.

Edhe Lushnja do të kërkojë të njëjtën gjë, ndaj parashikohet të jetë një takim jo i lehtë.

Verdhejeshilët janë pozicionuar në vendin e 10- të të klasifikimit dhe do të kërkojnë me çdo kusht t’u largohen vendeve të fundit. Gjithsesi, fusha do të jetë ajo që do të flasë. Le të fitojë më i miri”, tha tekniku për gazetën.

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"