Sfida Lushnja-Besa, kavajasit kërkojnë revanshin. Humbja e fundit e lagunarëve daton në…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2019 | 17:55

Sfida Lushnja-Besa, kavajasit kërkojnë revanshin. Humbja e fundit e lagunarëve daton në…

Dy ndeshje të luajtura, 6 pikë dhe 6 gola të shënuar. Lushnja ka bërë më mirë se të gjitha skuadrat e tjera të Kategorisë së Parë në startin e kampionatit.

lushnja-besa 1-0, Batha ne aksion

Tani për skuadrën e drejtuar nga trajneri Ilir Gjyla ka rëndësi vazhdimësia. Nesër në stadiumin “Roza Haxhiu” verdhejeshilët do të luajnë me një tjetër pretendent, Besën e Kavajës, një ndeshje që pritet të rikthejë atmosferën e munguar, pasi ka përfunduar dënimi 4-javor për tifozët lushnjarë.

BRAHIMAJ – Qendërmbrojtësi kavajas i Lushnjës, 21- vjeçari Denis Brahimaj, për “Panorama Sport” shprehet: “Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ekipin tonë, pasi na duhet fitorja për të qëndruar në krye të tabelës. Ne kaluam me sukses një transfertë të vështirë si ajo me Apoloninë dhe në fushën tonë pa diskutim që do të luajmë për tri pikë të tjera. Me një lojë të mirë, të kujdesshme dhe me mbështetjen e publikut tonë, besojmë se do t’ia arrijmë qëllimit. Luaj për herë të parë me Lushnjën, ku kam gjetur një ambient të ngrohtë dhe motivues. Nga ndeshja në ndeshje dua të bëj më mirë dhe ta përfundoj me sukses sezonin”, është shprehur qendërmbrojtësi Brahimaj, i cili ka dalë nga akademia verdhezi.

Dy mbrojtësit e qendrës te Lushnja janë debutues me fanellën verdhejeshile. Përveç Denis Brahimajt, është edhe Beqir Ibrahimllari që është bashkuar me Lushnjën dhe që luan në qendër të prapavijës. Të dy kanë qenë pjesë e Egnatias sezonin e kaluar dhe merr vesh mirë me njëri tjetrin. Kanë luajtur 180 minuta të plota në formacionin e trajnerit Gjyla.

PRECEDENTËT – Besa nuk fiton prej 11 vjetësh në stadiumin “Roza Haxhiu”. Fitorja e fundit e kavajasve përkon më 19 tetor të vitit 2008, kur të dyja skuadrat luanin në Kategorinë Superiore. Kavajasit fitonin 0-1, me golin e Liridon Lecit. Në pesë përballjet e fundit, Besa ka vetëm këtë fitore. Tri ndeshje i ka fituar Lushnja dhe një ka përfunduar në barazim. Lushnja dhe Besa zhvilluan edhe dy ndeshje miqësore gjatë verës, duke barazuar si në Kavajë (1-1), ashtu edhe në Lushnjë (2-2).

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"