Sfida kundër Partizanit/ Teuta me risinë Koubemba, Lorenco Vila humbet premierën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2021 | 17:13

Sfida kundër Partizanit/ Teuta me risinë Koubemba, Lorenco Vila humbet premierën

Të premten, në orën 19:45, në “Elbasan Arena”, do të zhvillohet ndeshja Teuta-Partizani, sfidë që çel sezonin e ri futbollistik në vendin tonë. Teuta, që e ka fituar për herë të fundit titullin kampion i ka të gjitha mundësitë për ta përsëritur suksesin e sezonit të shkuar, ndërkohë që edhe ambicia e madhe është triumfi ndaj Partizanit.

Martini

DILEMA – Kampionët e Shqipërisë janë në përgatitjet e fundit për sfidën e parë zyrtare të sezonit ndaj Partizanit, në program këtë të premte në Elbasan. Do të tentohet fitorja dhe një ndeshje pozitive për të mundësuar nisjen e sezonit me tri pikë. Gjithsesi, për Edi Martinin të gjitha mendimet janë për këtë sfidë me skuadrën e kuqe. Dilemat e trajnerit shkodran nuk mungojnë për formacionin më të mirë të mundshëm përballë demave.

Gjeorgjev dhe Koubemba

Teknikut i duhet të përballet me dilema e mungesa: Lorenco Vila është i dëmtuar dhe nuk mund t’ia dalë. E megjithatë, problemet më të mëdha dhe dyshimet për teknikun vijnë nga mbrojtja dhe mesfusha, pasi sulmi duket i blinduar sa u përket alternativave me Sebino Plakun hero të kualifikimit ndaj Inter Eskaldes me një dopietë, por dhe një gol në finalen e Superkupës, e po ashtu elementë me peshë si sulmuesi kongolez Kevin Koubemba, i cili pritet të jetë titullar.

MBROJTJA – Afrimi i fundit i Ivanoviçit përzien kartat jo vetëm për mesfushën, por edhe për mbrojtjen, pasi me largimin e Rustem Hoxhës dhe Renato Arapit, që tashmë ka rolin e drejtorit teknik, Martini ka gjetur dyshen e repartit, ku momentalisht janë Ivanoviç dhe Adolf Selmani.

MESFUSHA – Sa i përket mesfushës, opsionet nuk mungojnë me Dajën, E. Vilën, Aleksin si mesfushorë qendre, si dhe Kallaku fantazist. Gjithsesi, janë seancat e fundit stërvitore ato që do të shuajnë dilemat e fundit për formacionin anti-Partizani për Teutën, që vjen në këtë sfidë e motivuar dhe gati, megjithatë në Durrës duan që kjo verë të zgjasë sa më shumë, ndaj kërkojnë të luajnë një ndeshje perfekte të premten.

STËRVITJA – Seanca e djeshme kishte të bënte më së shumti me rigjetjen e ritmit. Martini u kërkoi të tijve përqendrim dhe përpikmëri në zbatimin e detyrave tekniko-taktike. Ritmi i stërvitjeve është i lartë, skuadra punoi me seanca të kombinuara për akumulim të forcës, kondicionit fizik, pa lënë pas pjesën tekniko-taktike.

Në stërvitje ishin të gjithë futbollistët, ku vlen të theksohet se skuadrës i është bashkangjitur edhe Lorenco Vila, por nuk do të jetë i gatshëm për sfidën kundër Partizanit. Si fillim, skuadra zhvilloi vetëm dy vrapime rreth fushës e më pas disa ushtrime atletike.

Lorenco

Vetëm pak xhonglime dhe mbajtje e topit në ajër dhe më pas Martini filloi të punonte me vendosjen e lojtarëve në fushë. Kotobelli dhe Kallaku u shfaqën si ekzekutues të goditjeve nga këndi për t’u shërbyer sulmuesve të ekipit, si Gorgiev, Gruda dhe Kapllani.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"