Sfida Itali-Belgjikë/ Kurtua e quan ndeshje kot, Lokateli: Na duhet neve!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2021 | 14:27

Sfida Itali-Belgjikë/ Kurtua e quan ndeshje kot, Lokateli: Na duhet neve!

Një “Finale e Vogël” që luhet në Botëror është e kuptueshme. Europiani nuk e ka në formatin e tij, por në rastin e Ligës së Kombeve, UEFA nuk është kursyer aspak dhe sot në “Allianz Stadium” në orën 15:00, Italia do të presë Belgjikën në ndeshjen që do të përcaktojë skuadrën e tretë dhe të katërt në Ligën e Kombeve.

kurtua

Dy skuadrat që humbën gjysmëfinalet e kësaj jave, respektivisht kundër Spanjës dhe Francës, do të luajnë “Finalen e Vogël” të një turneu pa ndonjë rëndësi madhore. Dhe portieri i Belgjikës, Tibo Kurtua, është shfaqur i nervozuar në përfundim të gjysmëfinales me Francën edhe prej përmbysjes së çmendur të “Djajve të kuq”, që kryesuan 2-0 dhe në fund u përmbysën nga kampionët e botës.

“Zakonisht, kur je në avantazh 2-0 nuk mund ta flakësh kështu fitoren, por ne e bëmë”, deklaroi portieri i Realit të Madridit për “nieuësblad.be”. Pastaj diskutimi që ngjall jo pak polemika: “Ndeshja me Italinë? Do ta luajmë për asgjë. Të mbërrish i treti ose i katërti në Ligën e Kombeve nuk i intereson askujt. Do të jetë një ndeshje e kotë. Nuk e di as përse duhet të luajmë. Do të jetë si një ndeshje stërvitore”.

LOKATELI – Por ka një tjetër këndvështrim mesfushori italian, Manuel Lokateli. Në konferencën e djeshme për shtyp, mesfushori i Juventusit, i cili luan edhe në shtëpi, tha se “axurrët” do të jenë të motivuar nesër kundër Belgjikës, sepse në fund të fundit ajo luhet edhe për renditjen e FIFA-s.

“Kurtua e quajti një ndeshje të pavlerë? Çdokush mund të thotë atë që dëshiron. Ne luajmë në shtëpi, në Torino dhe duam ta fitojmë këtë sfidë. Luajmë edhe për renditjen”, tha talenti, i cili beson se skuadra e tij do të ketë nxjerrë mësimet e nevojshme nga humbja kundër Spanjës. “Na vjen keq për humbjen, jemi të gjithë të keqardhur për atë që ndodhi. Herët a vonë duhet të ndodhte, por ne mund të rikthehemi të fitojmë që të dielën për ta harruar sa më shpejt zhgënjimin.

Duhet të ruajmë qetësinë dhe të mbërrijmë të karikuar në Botërorin e ardhshëm. Franca luajti shumë mirë kundër Belgjikës dhe u tregua e zonja që nuk u dorëzua deri në fund. Belgët kanë lojtarë shumë të fortë si De Bryjne dhe Lukaku, të cilët bëjnë diferencën dhe e dimë se kujt duhet t’i trembemi të dielën. Do ta përgatisim mirë ndeshjen”.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"