Sfida e zjarrtë me Tiranën, trajneri Josa bën prova te Kukësi pa mesfushorin kosovar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2021 | 10:24

Sfida e zjarrtë me Tiranën, trajneri Josa bën prova te Kukësi pa mesfushorin kosovar

Kukësi do të përballet me Tiranën nesër në “Selman Stërmasi” dhe do të kërkojë fitoren ndaj kryeqytetasve, duke i kthyer edhe reston e humbjes startuese të kampionatit. Trajneri Mirel Josa ka punuar më shumë taktikisht me ekipin në seancat e fundit. Kështu ka ndodhur edhe dje, por duke provuar formacionin që pritet të hedhë në fushë ndaj bardhebluve, ka bërë habi lënia jashtë e mesfushorit Vesel Limaj. Në testin e kontrollit, të zhvilluar dje në drekë në kompleksin “Football Republic”, Josa ka bërë ndarjen e ekipit në dy formacione dhe mungesa e Limajt ishte evidente. Ish-kapiteni duket se nuk do të preferohet nga trajneri Josa për ndeshjen kundër Tiranës. Megjithatë, dyshimi është dhe te “hijet” e kontratës së 25-vjeçarit, për shkak të së cilës mesfushori u dënua duke u transferuar tek ekipi U-21 në mesin e muajit janar. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse Limaj do të qëndrojë vërtet jashtë formacionit apo kjo e djeshmja ka qenë vetëm një përzgjedhje momentale.
vesel limaj
Me skemën 4-2-3-1, në vendin e kosovarit është provuar Besir Demiri. Josa po studion me imtësi ekipin dhe për secilin lojtar po mban shënime. Limaj ka zhvilluar një kampionat mjaft të mirë, paçka ulje-ngritjeve të ekipit. Në debutimin e Josës në stolin e Kukësit kundër Skënderbeut, mesfushori shënoi dy gola dhe trajneri e spostoi më afër sulmit, jo në rolin e një mesfushori para mbrojtjes. Ndërsa në takimin ndaj Kastriotit e zëvendësoi në pjesën e dytë. Limajt i skadon kontrata në fund të qershorit dhe klubi më parë i kishte kërkuar lojtarit që të firmoste një marrëveshje të re, gjë të cilën mesfushori nuk e pranoi. Kukësi kërkon me çdo kusht të mos e humbasë me parametra zero beniaminin e ri të tifozëve të Kukësit. Ndërsa pritet që ndryshim tjetër në formacion të ketë edhe qendrën e mbrojtjes, ku Bytyçi mund të zërë vendin e Lulajt. Ndërsa dyshja e lojtarëve të huaj që janë afruar së fundmi, Baravikas-Tsinszade, do të monitorohen deri ditën e ndeshjes për gjendjen fizike e më pas Josa do të vendosë nëse do t’i aktivizojë nga minuta e parë apo jo.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"