Sfida e trajnerëve miq, Plori: Me pak fat e mundim Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2018 | 10:52

Sfida e trajnerëve miq, Plori: Me pak fat e mundim Kukësin

Kastrioti do të presë sot Kukësin në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, në një përballje mjaft të vështirë, por me misionin të qartë: marrjen e tri pikëve. Trajneri Elvis Plori, në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon se e ka përgatitur me detaj këtë takim, ku përballë do të ketë mikun e tij, Armando Cungu, që drejton Kukësin.

plori1

Sa ju shërbeu ndërprerja e kampionatit në prag të ndeshjes me Kukësin?

Pushimi na ka shërbyer për të përmirësuar gabimet e bëra gjatë këtyre javëve. I kemi kushtuar rëndësi lojës ofensive, sepse rastet që po na jepen, nuk po i shfrytëzojmë si duhet. Ndaj Kukësit një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, sepse është e fundit e fazës së parë dhe kemi zhgënjyer shumë tifozët deri më tani. Duhet të japim maksimumin për tifozët sepse nuk kanë qenë të paktë në ndeshje që kemi zhvilluar.

Vini pas tri humbjeve radhazi, ndërsa edhe Kukësi ka provuar dy herë shijen e disfatës. Besoni te kthesa?

Kemi një kundërshtar shumë të fortë përpara, por që dhe ata nuk po kalojnë një moment të mirë, ashtu si ne. Edhe ata janë në presion për pikë. Shpresoj që të kemi edhe pak fat për të bërë kthesën.

kastrioti

A do të ketë ndryshime në formacion për këtë ndeshje?

Tashmë skuadrat njihen, nuk kanë shumë ndryshime, por nga eksperienca e këtyre takimeve, them se detajet e vogla bëjnë ndryshimet e mëdha. Kukësi ka një skuadër racionale dhe të godet kur se pret, kjo me jep sinjale që të marr masat për përqendrimin maksimal në prapavijë. Por, duhet të jemi më entuziastë në sulm.

Kastrioti vazhdon të jetë i fundit pas tetë javëve kampionat. Fakti që në pesë ndeshjet e radhës, katër prej tyre do t’i zhvilloni në fushën tuaj, mendoni se është një favor për t’u ngjitur në renditje?

E them me plot gojën se do të jetë mundësia jonë e fundit nëse duam të mos shkëputemi nga ekipet e tjera. Të paktën, duhet të shfrytëzojmë faktorin fushë që në këto katër javë që kemi brenda të marrim maksimumin.

Së fundi, sot do të keni si kundërshtar Cungun. Miq apo rivalë?

Kemi qenë, jemi, dhe do të jemi miq shumë të mirë, por për 90 minuta do të jemi rivalë. Është shumë e sikletshme, sepse kemi qenë shok skuadre dhe miq në jetën e përditshme, për më tepër e njohim shumë mirë njëri-tjetrin. Të dy jemi trajnerë për karrierë dhe e ndiejmë shumë mungesën e rezultateve, duke e transmetuar te të tjerët. Por, po e them në këtë intervistë (qesh), që nëse skuadra ime shënon, unë në respekt të shokut tim Armando Cungu, nuk do të festoj.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"