Sfida e sotme ndaj Burrelit/ Lushnja llogarit vendin e dytë, të pathyeshëm prej…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2022 | 10:00

Sfida e sotme ndaj Burrelit/ Lushnja llogarit vendin e dytë, të pathyeshëm prej…

Lushnja është thuajse gati për Burrelin. Me një seancë të fundit që do ta zhvillojë sot, do i japin zyrtarisht fund përgatitjeve për ndeshjen e prapambetur. Me matjanët duhet të luanin që më 3 shtator, por u shty.

lushnja

Shkak u bë fusha e stadiumit “Roza Haxhiu”, që nuk ishte në gjendjen optimale. Edhe pse nuk ka nisur ende mbjellja e barit, terreni në fakt duket më mirë dhe është brenda parametrave.

E megjithatë, kjo tashmë i përket të shkuarës dhe skuadra është e “etur” për t’i mbyllur llogaritë me këtë 90-minutësh. Synimi i verdhejeshilëve është i qartë, të marrin një tjetër trepikësh dhe rikuperojnë pozitat në renditje.

Dhe mundësitë i kanë që të ngjiten si me “ashensor”. Momentalisht janë në të 11-ën, por nëse fitojnë do të kalonin direkt 9 skuadra që kanë para vetes dhe do të pozicionoheshin në vendin e 2-të. Me një pikë më pak se Dinamo kryesuese, do të futeshin edhe ata në lojë për pretendime madhore.

Ky mision nuk duket i pamundur për lushnjarët dhe sidomos kur sheh statistikat. Ata kanë vërtetuar se janë një skuadër shumë e fortë në shtëpi.

Zyrtarisht nuk humbasin në fushën e tyre që prej 20 shkurtit të vitit 2021. Asokohe mposhteshin me shifrat 0-3 nga Egnatia, por prej 20 muajsh vazhdojnë të jenë të pathyeshëm. Prej atij momentali, numërojnë 13 fitore dhe 8 barazime.

Të gjitha këto të vlefshme për llogari të Kategorisë së Parë. Klodian Duro duket se ka “fiksuar” edhe 11- shën për këtë duel. Porta i mbetet të zakonshmit Kaloshi, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohet treshja:

Përvataj-Andoni-Ruçi. Në mesfushë janë Magani, Alushi, Haxhiu, Ziaj e Meta dhe sulmi i takon Cankës dhe Pepës.

LU (1)

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"