Sfida e sotme ndaj ballshiotëve, flet zv.trajneri i shijakasve: Bylisin e kemi vlerësuar, Erzeni do ta ruajë ecurinë pozitive!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2022 | 10:17

Sfida e sotme ndaj ballshiotëve, flet zv.trajneri i shijakasve: Bylisin e kemi vlerësuar, Erzeni do ta ruajë ecurinë pozitive!

Erzeni ka zhvilluar përgatitjet e fundit anti-Bylis dje në stadiumin e tyre “Tofik Jashari”. Në kampin shijakas janë optimistë për një paraqitje dinjitoze, ndërsa stërvitja e fundit është gërshetuar me disa lojëra mes futbollistëve, duke shkaktuar edhe nota humori mes tyre. Erzeni dhe Bylisi janë përballur më parë në Kategorinë Superiore në katër takime gjatë sezoneve 2001-2002 dhe 2002- 2003, ku ekipi shijakas regjistron dy fitore, një humbje dhe një tjetër ndeshje është mbyllur në barazim. Para kësaj sfide, ekskluzivisht për “Panorama Sport”, foli Alfred Deliallisi, i cili është krahu i djathtë i Xhevahir Kapllanit në stolin shijakas. Vetë Kapllani duket se është supersticioz në prag të ndeshjeve, duke evituar deklaratat. Ndërkohë, zëvendëstrajneri Deliallisi beson se Erzeni nuk ndalet as në Ballsh.

ALFRED DELIALLISI (1)

Një fitore me përmbysje ndaj Turbinës në ndeshjen e Kupës dhe akoma të pamposhtur në të gjitha kompeticionet. Çfarë vlere ka kjo për ju?

Normalisht, ndikon moralisht edhe pse bëmë rotacion. Në ndeshjen me Turbinën ne donim të fitonim dhe skuadra tregoi karakter.

Si ka ndikuar pushimi i ndeshjeve të kombëtareve në ekipin e Erzenit dhe gjendjen e lojtarëve? A e keni grupin e lojtarëve të gatshëm për ndeshjen e radhës?

Mendojmë që ka ndikuar pozitivisht, sepse disa lojtarë të ekipit kanë ardhur me vonesë dhe kanë marrë ngarkesa gjatë këtyre ditëve. E vetmja mungesë është ajo e Peposhit, që është drejt riaftësimit. Ai është shumë i rëndësishëm për skuadrën.

Sfida e nesërme ndaj Bylisit. Si shkon Erzeni në Ballsh dhe çfarë prisni nga ky takim? Si e vlerësoni kundërshtarin?

Ekipin e Bylisit e vlerësojmë në maksimum. Ne do të shkojmë për të bërë lojën tonë. Rezultatin e di Zoti. Skuadra është përqendruar në maksimum për këtë takim.

Vendi i dytë në 5 javë kampionat dhe asnjë gol i pësuar. A e ka Erzenin forcën për ta ruajtur këtë vazhdimësi?

Ndeshjet i marrim një nga një dhe çdo ndeshje ka rëndësinë e vet dhe vështirësinë e vet. Ky grup lojtarësh ka potencial për të ruajtur vazhdimësinë, por gjithmonë me këmbë në tokë dhe vetëm punë.

Tifozët Shijakas janë të pakënaqur me caktimin e ndeshjes ditën e premte në orën 15:00. Sa ndikon kjo?

Ata janë lojtari ynë i 12-të, shumë të rëndësishëm për ekipin dhe besoj se për tifozët e Erzenit nuk do të ndikojë fare dita, sepse ata janë mbështetësit tanë më të mëdhenj. I falënderojmë!

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"