Sfida e përjetshme, Guardiola “akuzon” për katenaço, Mou: Bukur të jesh i pari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2020 | 18:19

Sfida e përjetshme, Guardiola “akuzon” për katenaço, Mou: Bukur të jesh i pari

Që janë të ndryshëm në gjithçka, përveç dëshirës së fortë për të fituar, kjo ishte mjaftueshëm e qartë. Dhe Totenhem-Mançester Siti nuk bën përjashtim. U pa në fushë, me “Qytetarët” që u përpoqën për të gjetur hapësira duke kontrolluar topin dhe “Spërsat” shumë të aftë për të shfrytëzuar hapësirat e lira, duke goditur dy herë në kundërsulm me Sonin që në minutën e 5-të dhe Lo Selson në 65′.

Pep-Guardiola-Jose-Mourinho

Dhe në përfundim të ndeshjes, Guardiola nuk e humbi rastin për të lëshuar shigjeta në drejtim të qasjes së ndeshjes së kundërshtarëve: “Ata patën dy aksione në kundërsulm dhe e fituan ndeshjen. Zotërimi ynë i topit nuk mjaftoi. Të tilla janë skuadrat e Murinjos. Ti gabon dhe ato të ndëshkojnë në kundërsulm”.

Nga ana tjetër është mjeshtri i “lojërave të mendjes”, ai që nuk i lë asgjë rastësisë, edhe në deklaratat për shtyp. Për të mos e karikuar shumë ambientin, preferon të lërë mënjanë diskutimet për fitoren e kampionatit (që Totenhemit i mungon prej 60 vitesh). “Është bukur të jesh në krye, edhe pse shumë shpejt mund të mos jetë më kështu. Asnjë problem nëse do të ndodhë”.

Pastaj flet për një tjetër gjë ku ai është mjeshtër, të përgatisë planin taktik për të bllokuar ingranazhet e skuadrës kundërshtare: “Disiplina nuk i përket vetëm një plani të ndeshjes, por edhe planit të emergjencës. Në rast se dikush bën një gabim, duhet të jesh i përgatitur.

Kjo disiplinë kërkon një sforco të madhe. Jam shumë krenar për të gjithë lojtarët. Ishin fantastikë. Njerëzit nuk mund të mendojnë se pas një viti ne do të luftojmë për titull. Ne do të luftojmë për të fituar çdo ndeshje”. E të mendosh që shumë kishin nisur të mendonin se Murinjo i vërtetë i përkiste të shkuarës…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"