Sfida e parë e Kupës, Josa nuk kursen askënd/ Frikë nga blofi, Vllaznia me më të mirët ndaj Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2022 | 11:18

Sfida e parë e Kupës, Josa nuk kursen askënd/ Frikë nga blofi, Vllaznia me më të mirët ndaj Flamurtarit

Vllaznia do ta vlerësojë në maksimum kundërshtarin e radhës në Kupë, Flamurtarin.

VLLAZNIA 3

Nga sa është vërë re edhe gjatë seancave stërvitore, tekniku Josa do të luajë me lojtarët kryesorë sot në orën 15:00 në Vlorë. Edhe kësaj here tekniku Josa do të ketë jo pak, por tri mungesa të rëndësishme edhe për këtë sfidë.

DËMTIMET – Një javë ndërprerje duket se nuk ka mjaftuar për rikuperimin, qoftë edhe të qendërmbrojtësit malazez, Darko Bulatoviç. Mbrojtësi ka bërë përgjatë gjithë javës vrapime gjatë fushë, por pa arritur të rikuperohet plotësisht.

Ndërsa dyshja tjetër, Latifi e Boshnjaku, vijojnë të jenë të dëmtuar dhe mesa mësohet as për përballjen ndaj Teutës nuk pritet të jenë në fushën e lojës.

STABILITETI – Pavarësisht se në asnjë takim të këtij sezoni tekniku Josa nuk ka pasur skuadër të plotë, sërish ai ka krijuar një skuadër kompakte, që arriti të marrë edhe një fitore me shumë rëndësi ndaj Kastriotit, duke mos lejuar distancimin e me pretendentët e tjerë.

FORMACIONI – Prapavija do të jetë e përbërë nga Zogoviç në portë, Gurishta në të djathtë, Shehi dhe Juriç në qendër e Hakaj nga e majta.

Pra, mbrojtja e porta nuk ndryshojnë fare, pavarësisht se në një përballje të tillë, disa nga lojtarët që kishin më pak minuta në këtë start sezoni do të kërkonin minuta.

Edhe në mesin e fushës treshja nuk ndryshon dhe pritet të përbëhet nga Jonuzi, Alivoda e Heriç. Sulmi, pavarësisht se ka munguar goli në takimin e fundit, duket se sërish do t’i besohet treshes Mala e Marku në krahë dhe Hoxhajt në qendër.

Vlonjati, i cili shënoi edhe ndaj Kastriotit, luan ndaj ish-ekipit të tij, ku hodhi hapat e parë si profesionist.

Tekniku Josa dhe stafi shkodran kërkojnë t’i mbyllin llogaritë e kualifikimit që në takimin e parë dhe të mos lënë euforinë e vlonjatëve të ngrejë krye në asnjë moment.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"