Sfida brenda sfidës/ Sa duele direkte në “San Siro”, kampionët përballë rol për rol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2021 | 20:00


Sfida brenda sfidës/ Sa duele direkte në “San Siro”, kampionët përballë rol për rol

Derbi i Italisë luhet në javën e 17-të. Ja mesataret e notave të 22 lojtarëve (nga “Gazzetta”) që do të sfidohen në supersfidën e mbërmbjes së sotme të vendosura përballë. Njëmbëdhjetë lojtarë për skuadër, njëmbëdhjetë duele në distancë.

Inter-Juventus

HANDANOVIÇ 5.97 – SHEZNI 6.41

Nuk ka histori mes shtyllave, ku përballjen e fiton lehtësisht portieri bardhezi. Shezni ka luajtur 12 ndeshje, 5 më pak se kolegu zikaltër, por Handanoviç ka pësuar më shumë (23 gola kundër 14). Konte kërkonte një Inter më proaktiv, më sot ka ndërtuar sulmin më të mirë të kampionatit, ka “paguar” mbrojtësi ekstrem slloven.

SHKRINIAR 6.19 – DANILO 6.1

Për pak Shkriniar fiton duelin me Danilon për hyrjen në një 11- she më të mirë. Deri tani qendërmbrojtësi sllovak numëron një gol më shumë (2 kundër 1), por është i ndalur në 0 asiste kundër 3 të brazilianit.

Diferencën e bëjnë edhe kartonët, interisti është më i disiplinuar dhe në 13 ndeshje ka marrë vetëm një të verdhë; ndërsa juventini, me detyra taktike të ndryshme dhe shpesh i thirrur në korsi është në kuotën 4.

DE VRAJ 6.16 – BONUÇI 5.89

Tjetër duel i fituar nga zikaltrit, këtë herë me më shumë diferencë. “Regjisori” mbrojtës i Kontes mposht atë të Pirlos, De Vraj deri tani ka qenë mbi notën kaluese, ndërsa Bonuçi poshtë 6-ës. Të dy po japin nën nivelin e tyre, por interisti, pavarësisht se ka realizuar një gol më pak (1 kundër 2) dhe të dy kanë marrë të njëjtin numër kartonësh (2 të verdhë për kokë), mbetet përpara në vlerësimin e përgjithshëm.

BASTONI 5.85 – KIELINI 6.25

Kapiten Kielini mban lart nderin e mbrojtjes bardhezi, por këtu mesatarja e notës është e shtrembëruar nga 3 prezencat e vetme që qendërmbrojtësi ka totalizuar (përfshi 8 minutat e fundit kundër Udinezes), ka zbritur në fushë në dy ndeshjet e para kundër Sampit dhe Romës, më pas asgjë.

Ndërsa Bastoni është shndërruar në një pikë fikse të mbrojtjes interiste, edhe pse deri tani ka regjistruar vetëm kartonë të verdhë (3, në 14 ndeshje).

HAKIMI 6.53 – KIEZA 6.50

Dy lojtarë që mund të zhvendosin ekuilibrat e sfidës. Hakimi dhe Kieza janë blerje që po shpërblejnë pritshmëritë. Marokeni është në kuotën 6 gola dhe 3 asiste, italiani e ndjek me 5 gola dhe 2 asiste. I pari fiton, edhe pse për tre të qindat.

BARELA 6.52 – MEKENI 6.34

Në mesfushë dueli i parë ngjyroset zikaltër. Barela është gjithmonë e më lider brenda Interit, MeKeni po i mahnit të gjithë me përshtatjen. Amerikani kalon italianin për gola (2 kundër 1), por jo për asiste (2 kundër 4) dhe numëron 4 prezenca më pak (13 me 17).

BROZOVIÇ 5.86 – BENTANKUR 6.07

Taktikisht kanë të njëjtën detyrë, diktimin e kohëve në ndërtimin e manovrës sulmuese. Uruguaiani, me notë në dorë, ia del më mirë, pavarësisht se kroati ka realizuar më shumë gola (1 me 0) dhe më shumë asiste (6 me 2).

VIDAL 6.10 – RAMSEJ 6.13

Sfidën mes inkursorëve e fiton Ramsej, edhe pse për shumë pak. Dëmtimet e shumta nuk kanë ndalur ngjitjen e ish-mesfushorit të Arsenalit në hierarkitë e Pirlos, i cili ka konsideratë të lartë për uellsianin: 1 gol, 3 asiste, 0 të verdhë në 11 ndeshje. Ndërsa Vidal është, deri tani, zhgënjimi i madh i Kontes, shënoi në Kupën e Italisë dhe tani dëshiron të zhbllokohet edhe në kampionat, pse jo kundër ish-Juves së tij.

JANG 6.03 – FRABOTA 5.75

Mes të dyve ka 14 vite diferencë, por që nesër do të jetë një ndeshje vendimtare për të dy dhe nuk pritet aspak e lehtë. Interi dhe Juventusi shtyjnë më shumë në të djathtë, Jang dhe Frabota do të duhet të mbrojnë.

Kieza dhe Hakimi nuk janë klientë të lehtë. Anglezi do të mund të mbështetet tek eksperienca më e madhe, jo rastësisht ka më shumë se dyfishin e prezencave sezonale të kolegut (13 kundër 6), i cili po luan sezonin e parë mes të mëdhenjve.

LAUTARO 6.47 – MORATA 6.36

Për sulmuesit dihet, rëndësi kanë golat. Lautaro ka vendosur firmën në 13 realizime (9 gola dhe 4 asiste), Alvaro në 10 (4 gola, 6 asiste). Spanjolli ka luajtur më pak (810 minuta kundër 1172), ka një mesatare të pranueshme, pavarësisht se poshtë asaj të homologut zikaltër.

LUKAKU 6.66 – RONALDO 6.73

Janë ata udhëheqësit e dy skuadrave, liderët e padiskutueshëm, të parët në klasifikimin e golashënuesve dhe me mesataret e notave më të larta mes atyre që pritet të zbresin në fushë nesër.

Njëri më në formë se tjetri, por belgu duhet të dorëzohet përpara kampionit portugez që numëron më shumë gola se prezenca në fushë: CR7 ka shënuar 15 herë në 13 ndeshje, Lukaku e ndjek në kuotën 12 (në 16 ndeshje).

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/