Sfida Besa-Lushnja, Magani flet për duelin me të atin: Hera e tretë që përballemi, të fitojë më i miri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2022 | 13:10

Sfida Besa-Lushnja, Magani flet për duelin me të atin: Hera e tretë që përballemi, të fitojë më i miri

Lushnja kërkon që ta bëjë “sefte” në transfertë. Ende nuk ka marrë asnjë pikë dhe synon që t’ia dalë këtë të shtunë. Udhëtojnë në Peqin, atje ku i pret Besa. Është padyshim një përballje mes dy klubeve që i kanë dhënë tonin futbollit, por që vitet e fundit i kanë humbur ndjeshëm raportet me të Superiores.

Collage Maker-27-Oct-2022-01.00-PM

Lushnja e sivjetme ka tre futbollistë peqinas në përbërje të saj. Ata janë Fadil Meta, Ali Llacja dhe Endrien Magani, që rikthehen në shtëpi dhe kjo ndoshta do t’i ndihmojë ndjeshëm, pasi njohin terrenin. Nëse dy të parët thjesht do të rigojnë stadiumin “Shkumbini”, disi më e veçante do të jetë përballja për të tretin. Do të ketë kundërshtar as më pak e as më shumë se babain, që këtë edicion drejton skuadrën kavajase.

Do të jetë një duel Maganësh e thënë ndryshe dhe duhet parë se cili do të dalë fitimtar në fund: Endrieni në fushë apo Gugashi në pankinë. Vetë lojtari i linjës së djathtë preferon që ta kalojë me diplomaci këtë pjesë. Kjo është e treta herë që ai “përplaset” me të atin dhe bilancin e ka më shumë se pozitiv.

Fillimisht e ka mundur 2-1 kur Gugash Magani drejtonte Teutën dhe 3-2 kur ishte në “timonin” e Besës.

“Është hera e tretë që ‘përplasem’ me babain. Le të fitojë më i miri. Luan Besa me Lushnjën dhe le të fitojë skuadra më e mirë”, kështu u shpreh për “Panorama Sport” 31-vjeçari për këtë çështje “familjare”.

Më tej ai u ndal te gjendja e skuadrës. Dukshëm janë më të qetë pas fitores me Turbinën, por tashmë kërkojnë vazhdimësi.

“Për sa javë janë zhvilluar, nuk jemi ku duhet. Na mungojnë shumë pikë. Kemi një ndeshje të fortë përpara, ndaj nga e gjithë skuadra duhet impenjim maksimal. Shpresoj të bëjmë një paraqitje të mirë dhe marrim rezultatin pozitiv. Pas fitores me Turbinën ekipi është i qetë dhe ka dëshirë për të pasur vazhdimësi”, përfundoi Endrien Magani.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"