Sezoni më i mirë, Hebaj ka thyer rekordin personal: Teutës i mungojnë 2 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2022 | 21:28

Sezoni më i mirë, Hebaj ka thyer rekordin personal: Teutës i mungojnë 2 pikë

Rubin Hebaj nuk ka shënuar asnjëherë 9 gola gjatë një sezoni dhe këtë e bën tashmë si pjesë e Teutës. Edhe pse i afruar vetëm në merkaton e janarit, sulmuesi shkodran në 18 ndeshje të luajtura, ka realizuar 9 herë, pa marrë parasysh këtu edhe tre golat e shënuar në Kupën e Shqipërisë.

RUBIN HEBAJ

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Hebaj flet për fitoren e fundit, momentin e mirë që po kalon dhe shanset që ka Teuta për të kapur vendin e katërt dhe shpresuar për zonën europiane.

Rubin, një tjetër fitore…?

Jemi të lumtur për fitoren ndaj Kastriotit, sepse rezultati dhe ecuria që kemi pasur këto kohë janë mjaft pozitive. Shpresoj që të vazhdojmë me këto ritme dhe të mbajmë këtë ecuri deri në fund, kur mbeten edhe dy ndeshje. Me Kastriotin ishte ndeshje e vështirë, sepse ata kanë një ekip që ka bërë mirë kohët e fundit, por kanë edhe cilësi.

Nëntë gola me Teutën në 18 ndeshje të luajtura deri më tani në pjesën e dytë të këtij sezoni. Është ky momenti juaj më i mirë në karrierë?

Sigurisht që jam shumë i lumtur për golat e këtij sezoni. Të gjithë sulmuesit duan të shënojnë. Do të vazhdoj me gola edhe në dy ndeshjet e fundit. Ne jemi një ekip dhe të gjithë duam të fitojmë. Do të bëj punën time në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjithë së bashku do të arrijmë atë që kërkon klubi. Një lojtar i vetëm nuk është asnjëherë shpëtim për ekipin. Gjithsesi, derisa puna ime është që të shënoj, do vazhdoj ta bëj.

Kjo javë ju vendos përballë Laçit, që i ka realizuar objektivat. Si e shihni këtë takim?

Me Laçin do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Unë shpresoj që të mbajmë këtë ecuri dhe të marrim tri pikët. Luajmë në shtëpinë tonë dhe nuk na lejohen hapat fals.

Besoni se mund të kapni vendin e katërt deri në fund?

Ne kërkojmë maksimumin, jemi të vetëdijshëm për vështirësinë, por një ekip që ka kërkesa të mëdha për të arritur sukses, duhet të kalojë shumë pengesa. Do të bëjmë të pamundurën për t’ia dalë ndaj Laçit, duke besuar deri në fund te vendi i katërt. Në futboll nuk duhet të dorëzohesh.

Ekipi ka treguar se nuk dëshiron të lëshojë asnjë centimetër. Për Teutën e rëndësishme në këtë moment është që të mos e mbajë kokën pas. Do të shikojmë punën tonë, duke fituar ndeshjet që kemi, sipas radhës. Pastaj, nëse ne fitojmë dhe kundërshtarët gabojnë, gjërat thjeshtësohen.

Cili është pengu juaj më i madh nga kjo pjesë e sezonit që u rikthyet me Teutën?

Duhet të kishim marrë të paktën edhe dy pikë më shumë dhe kjo nuk na falet, pasi tani do të ishim 100% afër Europës. Kemi marrë disa barazime, ku mund të fitonim. Mendoj se kemi merituar më shumë, por për fat të keq nuk jemi treguar cinikë aq sa duhet. Besoj se sot do të kishim dy pikë më tepër.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"