Sezoni i ri, Kastrioti “ndez motorët”. Ndreu i bindur për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2019 | 15:45

Sezoni i ri, Kastrioti “ndez motorët”. Ndreu i bindur për elitën

Kastrioti zbriti dje në fushën e blertë dhe nisi zyrtarisht stërvitjen për llogari të sezonit të ardhshëm. Presidenti Alban Vogli, para se të fillonte seanca e parë, prezantoi trajnerin Ramadan Ndreu përpara lojtarëve dhe më pas ekipi nisi stërvitjen.

kastrioti

Në këtë seancë ishin të pranishëm 17 lojtarë, shumica nga ekipi i sezonit të kaluar, afrimi i vetëm deri tani Xhulio Mehmeti, si dhe disa të rinj. Kanë munguar Çela dhe Pepa për arsye familjare, kurse Okebuku dhe Lukman pritet të kthehen më 1 gusht. Pas seancës stërvitore, për “Panorama Sport” foli trajneri Ramadan Ndreu, i cili preku tema të ndryshme.

“Kemi trikatër javë që jemi në bisedime me presidentin dhe me gjithë stafin, ndaj besoj se jemi në rrugën e duhur. Skuadra e Kastriotit do të rikthehet shumë shpejt në elitë dhe mendoj se do të jetë vetëm afati kohë, sepse në gjirin tonë do të afrohen lojtarë që kanë luajtur përgjithësisht në Superligë, elementë me nivel. Kemi marrë garancinë financiare nga presidenti dhe kjo na jep të drejtën të themi se jemi në rrugën e duhur”, tha fillimisht trajneri i Kastriotit.

ramadan ndreu

AFRIMET – “Afrimi i parë është Mehmeti, siç edhe e kemi konfirmuar. Synimi ynë është afrimi i një portieri të mirë, cilësor, i cili vjen nga Superliga. Po ashtu, jemi në bisedime edhe me disa lojtarë të tjerë, që ndoshta deri në fund të javës do të zyrtarizohen si pjesë e skuadrës sonë dhe atëherë do të flasim me emra konkretë”, ka shtuar Ndreu.

AXHENDA – “Kemi programuar axhendën, që do të thotë se këto dy javë do të bëhet përzgjedhja dhe formimi i grupit, do të shkojmë në fazë përgatitore dhe kemi ende dilemën e Pukës apo Pogradecit, varet ku do të na krijohen kushtet më të mira. Kuptohet që kjo periudhë së bashku me ndeshjet miqësore që kemi planifikuar, do të na ndihmojë shumë për sezonin e ri. Sa më shumë ndeshje miqësore, aq më mirë është, në mënyrë që të jemi 100% të gatshëm për fillimin e kampionatit. E kam thënë disa herë se do të hyjmë në garë me idenë për të qenë një ndër ekipet më të mira. Faza përgatitore për një skuadër që pretendon që të jetë në Superligë, është e domosdoshme”.

INFRASTUKTURA – “Për sa i përket pjesës së infrastrukturës, mendoj se me bisedimet që kemi me presidentin dhe kryetarin e bashkisë, do të kemi gati planin B. Kjo do të thotë riparim i pjesshëm i stadiumit, bërje e fushës nga e para dhe dhoma zhveshjesh të reja, që të krijojmë atë infrastrukturën e domosdoshme për të qenë në Superligë”.

RIVALITETI – “Çdo skuadër që merr pjesë në Kategorinë e Parë, do të thotë se ka objektiva, por ne nuk na tremb askush, pasi kemi shumë avantazhe. E para është se kemi një skuadër që ka treguar vlera dhe në Superligë, pavarësisht ulje-ngritjeve. Jemi një skuadër shumë pranë elitës, kjo na jep avantazhe, na jep garanci, na jep siguri. Nuk na tremb asnjë rival, pavarësisht përforcimeve që mund të bëjë”, ka përfunduar trajneri Ndreu.

BUJAR BALLIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"