Sezoni i dështuar sjell “eksod” te Junajtid, Murinjo largon 10 futbollistë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2018 | 11:43

Sezoni i dështuar sjell “eksod” te Junajtid, Murinjo largon 10 futbollistë

Mançester Junajtid fitoi në acarin e “Old Trafford”-it të shtunën në mbrëmje dhe mezi e ka pritur pushimin e ndeshjeve ndërkombëtare pas shpërthimit të Zhoze Murinjos.

murinjo

“Djajtë” sapo u dhanë fund disa ditëve të tmerrshme. Fitorja ndaj Brajtonit thuajse nuk dha asnjë rezultat te trajneri portugez pas monologut më të gjatë të karrierës së tij të premten.

Duke veçuar Matiçin dhe Lukakun, menaxheri i akuzoi futbollistët e tij se u mungoi personaliteti dhe dëshira për të luajtur. Është e dukshme tashmë që Mou e ka humbur qetësinë, duke e kritikuar publikisht skuadrën e tij, në mënyrë që të marrë një përgjigje.

Murinjo

Ai pritet të shpërthejë edhe të enjten, në takimin që do të ketë me administratorin Uduard në “Carrington”, ku do të kërkojë investime të reja në merkaton e verës, pavarësisht se deri tani ka shpenzuar mbi 300 milionë paund.

“Speciali” e distancon veten nga dështimi i skuadrës së tij këtë sezon. “Kur fitojmë, fitojmë të gjithë, kur humbasim, humbas unë”, u tha ai lojtarëve pas eliminimit nga Sevija në Champions javën e shkuar.

hoze murinjo

Dhe nuk i mjaftuan këto fjalë, por vuri në dyshim edhe karakterin dhe guximin e lojtarëve të tij: “Disa djem të tjerë i pashë të trembur. ‘Të lutem Mister, na nxirr nga fusha’. Kështu ndjeva sikur thoshin”, vijoi Mou. Dhe i pari që pritet të bëhet “kokë turku” në merkaton e verës është Ljuk Shou, së bashku me kolegët e tij të repartit, Mateo Darmian dhe Dalej Blind.

Mbrojtësi i majtë u zëvendësua pas pjesës së parë të shtunën dhe marrëdhënia e tij me teknikun preku edhe njëherë fundin. Futbollisti është prekur shumë nga fjalët e menaxherit pas ndeshjes. “Ljuk, në pjesën e parë sa herë vinin në korridorin e tij, kishte një krosim dhe krijohej një situatë e rrezikshme. Nuk isha i kënaqur me paraqitjen e tij”, deklaroi portugezi.

luke-shou

“Duhet të hiqja një mbrojtës krahu dhe hoqa Shoun, sepse të paktën Valencia ishte në gjendje të vendosej më mirë në mbrojtje”. Ander Herrera, Antoni Marsial, Huan Mata, Kris Smolling dhe Zlatan Ibrahimoviç janë emrat e tjerë, të cilët nuk e kanë të garantuar se do të jenë në “Teatrin e Ëndrrave” përtej këtij sezoni, ndërsa klubi duhet të kërkojë zëvendësues edhe për Maruan Felainin dhe kapitenin Majkëll Karrik.

Ibra

Murinjo e pranon se ai po luan me një rrezik të lartë, duke përdorur strategjinë e kritikave publike ndaj lojtarëve të tij. Por ky është një risk që ai është gati ta marrë, edhe pse në dhomat e zhveshjes po dëgjohen pakënaqësitë e para të lojtarëve.

Dhe mesa duket kolegu i tij i Brajtonit, Kris Hjuxhton, e mirëkupton teknikun e “djajve”: “Është Mançester Junajtid. Zhoze ka menaxhuar gjithnjë klube të mëdha. Në këto skuadra presioni është i madh. Nuk është si të menaxhosh Brajtonin. Ai di ta menaxhojë presionin në një mënyrë të mrekullueshme”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"