Sezoni filloi me derbin e kryeqytetit, Tirana ia ka “marrë dorën” Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2017 | 10:25

Sezoni filloi me derbin e kryeqytetit, Tirana ia ka “marrë dorën” Partizanit

Tirana ka fituar 3-1 derbin kryeqytetas ndaj Partizanit, në ndeshjen që mbylli javën e parë në volejbollin për femra. Ashtu si finalja e Kupës së Federatës edhe ky derb vishet bardheblu, ku pa dyshim shijon më tepër kur fitohet ndaj rivalit historik si Partizani. Bardheblutë fituan me lehtësi setin e parë 25-12.

tirana partizani volej1

Por të kuqtë rikuperojnë në setin pasardhës me avantazhin 8- 4 në fundin e pushimit të parë teknik. Pas një serie përmbysjesh me protagoniste Meçorrapaj, Nezaj e Blloku nga kampi i kuq dhe Shkurti e Sallaku nga ai bardheblu, ky set u vendos në pikët shtesë. Në pikën finale u desh një moskoordinim mes lojtareve të Tiranës që shkaktojnë faull dhe Partizani fiton 27-25 dhe 1-1 me sete.

Nën entuziazmin e setit pasardhës, edhe i treti nis nën superioritetin e vajzave të drejtuara nga trajneri Tarja që udhëheqin përkohësisht 9-6 falë veteranes Tuci. Por të kuqtë siç shkëputen, edhe shpërdorojnë dhe Tirana rikuperon shifrat 9-9 me Kushin. Më pas derbi luhet mes rivalitetit ku shënohen disa barazime 12-12, 15-15, 17-17.

partizani tirana volej

Pikërisht në pikët e fundit, Tirana është më e përqendruar, duke u shkëputur 20-18, 23-19 dhe Sallaku vulos fitoren 25-20. Seti i katërt ka qenë më dramatiku i mbrëmjes, por po kaq i bukur për sportdashësit e pranishëm në “Asllan Rusi”. Tirana shkon në pushimin e parë në epërsinë e ngushtë 8-7, por Partizani nuk heq dorë dhe përmbys në 12-9 me veteranen Nezaj vendimtare në lojën në bllok.

renditja volej

Partizani udhëheq 16-13 dhe krijon përshtypjen se ndoshta do ta çojë ndeshjen me set final. Tirana nuk humb kohë dhe përgjigjet me të njëjtën monedhë me kapitenen Shkurti, sërish në një ditë fantastike. Me dy shërbimet fatale radhazi i jep epërsinë skuadrës 22-19. Partizani nuk dekurajohet dhe vendos sërish ekuilibrin në pikën e 23-të. Fundi është drithërues që pas një maratone vendoset në favor të bardhebluve në pikët shtesë, me shifrat 29-27. Kështu, Tirana fiton 3-1, duke marrë tri pikët e para sezonale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"