Sezoni fantastik me Laçin, Nuabueze shënon gati sa dyfishi i sulmit të Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 17:11

Sezoni fantastik me Laçin, Nuabueze shënon gati sa dyfishi i sulmit të Partizanit

Laçi është skuadra e momentit në Kategorinë Superiore, pasi kurbinasit nën drejtimin e trajnerit Armando Cungu njohin vetëm fitore në katër takimet e fundit. Ndryshimet në stolin drejtues, por edhe shpërthimi i sulmuesit kryesor, Kirjan Nuabueze, ka bërë që Laçi pas javës së 12-të të ndajë vendin e tretë me Tiranën në renditje në kuotën e 19 pikëve, duke qenë tri më pak se Partizani kryesues. 

nuabueze xhixha

Të premten bardhezinjtë kanë provën e së vërtetës, pasi në kryeqytet do të përballen me kampionët në fuqi, që janë edhe kryesuesit e kampionatit. Pa dyshim shpresat kryesore laçianët i kanë të varura te sulmuesi nigerian me pasaportë amerikane, Kirjan Nuabueze, ose “Kiri” siç i thërrasin në Laç.

26-vjeçari ka treguar vlera të pamohueshme te kurbinasit, pasi ka shënuar 12 gola në 12 javë kampionat, që i bie me një mesatare 1 gol për ndeshje. Referuar statistikave të këtyre 12 javëve shikohet se “Kiri” shënon gati dyfishin e golave të gjithë repartit sulmues të Partizanit. Të kuqtë kanë një “artileri të rëndë” dhe të bollshme në repartin ofensiv, por deri tani kanë shënuar vetëm tre lojtarë dhe golat e tyre në total janë shtatë, 3 gola Çinari dhe nga dy Asani me Solomon. Ndërsa Nuabueze, i vetëm te Laçi, ka shënuar 12 gola, ose pesë më shumë se gjithë reparti sulmues i Partizanit.

nUABUEZE

Redon Xhixha me 3 gola dhe braziliani Teko me një, janë sulmuesit e tjerë që kanë shënuar për Laçin. Ndërsa Lushkja, që deri tani ka shënuar 3 gola, është lojtari i vetëm jo sulmues i Laçit që e ka gjetur deri tani rrugën e rrjetës.

nuabueze

Pra, te Laçi deri tani golat janë përqendruar në 4 lojtarë, por kryeson bindshëm Kirjan Nuabueze, që është golashënuesi më i mirë i Superiores pas 12 javësh. Ndërsa te Partizani golat kanë një shtrirje më të madhe, me shtatë lojtarë, duke filluar nga mbrojtja me Belicën e Trashin; Bruno Telushi dhe Uilliam Melo janë mesfushorët golashënues, si dhe tre sulmuesit e lartpërmendur, Çinari, Asani dhe Solomon.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"