Sezon katastrofik, Ferrari kurrë kaq keq prej 40 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2020 | 13:44

Sezon katastrofik, Ferrari kurrë kaq keq prej 40 vitesh

Pas tri kampionateve radhazi të përfunduara si nënkampion pas liderit absolut Mercedes, Ferrari këtë sezon i ka thënë zyrtarisht lamtumirë ngjitjes në podiumin e konstruktorëve.

sebastian-vettel-ferrari-sf100

Me 40 pikët e fituara në garën e fundit në Sakhir, Racing Point tashmë ka prekur kuotën e 194 pikëve, shifër kjo e paarritshme për skuadrën nga Maraneloja, e cila regjistron 131 pikë, kur ka mbetur edhe një garë nga fundi i Botërorit 2020.

LLOGARITË

Në eventin e fundit të sezonit, në program për t’u zhvilluar këtë të diel në Abu Dabi, maksimumi i pikëve që një skuadër mund të fitojë është 44 (25 për triumfin, 18 për vendin e dytë dhe 1 për xhiron më të shpejtë). Kjo do të thotë që edhe vendi i katërt që mbahet nga MekLaren në kuotën e 184 pikëve është i paarritshëm për “Kokëkuqen”.

Madje, edhe vendi i pestë duket jashtëzakonisht i vështirë me skuadrën Renault që tashmë koleksionon 172 pikë, falë 28 pikëve që shtoi në garën e zhvilluar në Sakhir disa ditë më parë (18 pikë Esteban Okon dhe 10 Daniel Riçardo). Ferrari aktualisht ndodhet plot 41 pikë larg nga makina franceze. E thënë më thjesht, edhe nëse makinat SF1000 do të përfundonin në vendet 2 dhe 3 në Abu Dabi, ndërsa Renault të mos merrte asnjë pikë, skuderia italiane sërish do të mbetej poshtë në renditjen e konstruktorëve.

DISFATË HISTORIKE

Paraqitja e bërë këtë sezon nga Ferrari mund të konsiderohet pa frikë si një disfatë historike, sepse nuk ndodhte që prej vitit të largët 1981 që italianët të mo shkonin më shumë se vendi i pestë për konstruktorë. Asokohe, madje, kishte arritur të fitonte edhe 2 gara më Zhil Villnëv (në Spanjë dhe Monako), ndërsa ky botëror është ende thatë për Ferrarin.

renditja

Ndërsa më keq “Kokëkuqja” kishte bërë vetëm në vitin paraardhës 1980, kur renditej në vendin e 10-të me vetëm 8 pikë të grumbulluara gjithsej, edhe pse në atë kohë sistemi i pikëve ishte i ndryshëm, sepse vlerësoheshin vetëm 6 vendet e para (për fituesin shkonin 9 pikë, 6 për të dytin, 4 pikë për të tretin, 3 për vendin e katërt, 2 për të pestin dhe 1 për vendin e gjashtë).

Ne atë vit Ferrari e mbylli kampionatin në vendin e parafundit, duke lënë pas vetes vetëm Alfa Romeon që kishte grumbulluar gjithsej 4 pikë.

Të tjera të dhëna alarmuese kanë të bëjnë me faktin se në këtë botëror Ferrari nuk ka mundur të jetë qoftë edhe një xhiro të vetme në krye të një gare, në një kampionat kur përveç makinave Mercedes dhe Red Bull, diçka të tillë e kanë arritur Racing Ponit, MekLaren dhe Alfa Tauri. Për të gjetur një tjetër vit me zero xhiro në krye për Ferrarin, duhet të kthehemi në 1992-shin, kur në timonët e “Kokëkuqeve” alternoheshin pilotët Alesi, Kapeli dhe Larini.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"