“Sezon i çuditshëm, Jasir Asani duhet të jetë lideri i Partizanit”, Bylykbashi: “Buba” mund të luajë majtas me 4-3-3

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2021 | 21:22

“Sezon i çuditshëm, Jasir Asani duhet të jetë lideri i Partizanit”, Bylykbashi: “Buba” mund të luajë majtas me 4-3-3

Dorian Bylykbashi, ish-lojtari i Parti zanit, ka folur për ecurinë e Partizanit në javët e fundit, rikuperimin e Ferhan Hasanit dhe pozicionit të tij në fushë, si dhe për titullin kampion ku tha se të 5-ta ekipet që janë në vendet e para kanë të drejtë të besojnë. Në një intervistë për “Panorama Sport” Bylykbashi tha se Jasir Asani duhet të jetë lideri i ekipit, ndërsa për ndeshjen kundër Bylisit u shpreh se kurrsesi të kuqtë nuk duhet ta marrin lehtë.

dorian bylykbashi

Dorian, ecuria e Partizanit nuk ka qenë shumë e mirë javët e fundit, pasi kanë marrë vetëm një fitore në 7 ndeshje. Çfarë mendoni se nuk po shkon siç duhet?

Mendoj se problemi kryesor te Partizani është mungesa e golashënuesit, pasi nuk po shënojnë shumë. Ndeshjen me Vllazninë e kam parë dhe Partizani kishte vështirësi në konkretizim.

Duke qenë se dhe ju vetë keni qenë një lojtar gjysmësulmues, fantazist, cili nga lojtarët aktualë që ka Partizani në grup mund ta bëjë më mirë rolin e bomberit?

Më mirë se Daja nuk e di njeri. Trajneri vendos për lojtarët që u cakton pozicionet. Ai i sheh mirë ata gjatë gjithë kohës. Tifozët kanë dëshirë që të shohin shumë gola, por nuk mund të pretendosh gjithmonë. Nuk mund të ndihmojë vetëm mbrojtja dhe mesfusha në shënimin e golave, ndeshjet duhet t’i zgjidhë sulmuesi kryesor i ekipit, pasi e gjithë loja ndërtohet për ta.

Faza e tretë nuk ka qenë shumë e mirë për të kuqtë. Sfida e fundit është ndaj Bylisit, sa e rëndësishme është ta mbyllin me fitore?

Ka qenë një fazë e tretë shumë e pakëndshme për Partizanin, pasi ka marrë minimumin e minimumit të pikëve. Shpresoj që ta mbyllin sa më mirë, me tri pikë kundër Bylisit që t’i japë një shtysë sa më të madhe në fazën e katërt dhe për titullin kampion.

Mendoni se Partizani do ta vlerësojë në maksimum Bylisin, duke parë se ka vuajtur ndaj ekipeve të “vogla”?

Normalisht, si me Bylisin, si me Vllazninë apo me Laçin, tri pikët janë tri pikë. Vlerësimi duhet maksimal sepse Partizani nga ekipet e vogla e ka pësuar, duhet të kishte më shumë pikë. Ka bërë ndeshje të mira si kundër Apolonisë, mund të shënonte 3 apo 4 gola. Por, pësoi penallti në fund dhe shkoi si shkoi, la dy pikë.

Katër skuadra në krye që i ndajnë vetëm dy pikë. Cili ekip do t’i shkojë deri në fund dhe a është edhe Tirana në garë për titull?

Ky sezon ka qenë i çuditshëm, sepse në vend të parë është Teuta me 13 barazime. Të jesh në vend të parë me 13 barazime e me 2 humbje, vetëm në këtë sezon ndodh. Kur Tirana humbi derbin me Partizanin, u quajt jashtë gare për titull, por tashmë është vetëm 5 pikë larg vendit të parë. Normalisht që do të besojë, të pesta ekipet e para duhet të besojnë te titulli kampion.

Bylykbashi parizani

Me rikuperimin e Ferhan Hasanit, mendoni se Partizani do të ndryshojë skemë apo do të vazhdojë deri në fund me të njëjtin modul loje?

“Buba” mund të luajë majtas në 4-3-3, pasi i jep më shumë hapësirë dhe mund të futet nga qendra. Aty ka më shumë horizont. Numri 10 sikur është larguar nga futbolli, të gjithë fantazistët duan të luajnë në krah dhe të spostohen në qendër, ku shohin 3/4 e fushës. Është Daja që vendos, por nuk mendoj se duhet të ndryshojë skemë për një lojtar. Në rregull, ndoshta Hasani mund të luajë mbrapa sulmuesit, por kush do të jetë sulmuesi? Çinari? Zhunior? Më mirë mendoj se me 4- 3-3, pasi dy “H(Asanët) nga krahët mund jenë shumë të rrezikshëm. Si Zhunior, ashtu dhe Çinari mund ta bëjnë mirë 9 falsë. Është problem shumë pjesa e golit, jo vetëm te Partizani, por tek të gjitha ekipet.

Si e parashikoni ndeshjen Partizani-Bylisi dhe cili lojtar mund të bëjë diferencën?

Partizani nuk duhet kurrsesi ta marrë lehtë këtë sfidë, por kam besim se do të arrijnë te tri pikët. Duhet të fitojnë që të nisin një ecuri pozitive dhe t’i afrohet titullit. Për mua, Asani duhet të marrë më shumë përsipër, të ndahet më shpejt me topin. Alban Hoxha është lideri i ekipit, ndërsa Jasir Asani duhet të jetë lideri i fazës së sulmit.

VERONIK ISTREFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"