Sezon fantastik, Erkand Qerimaj tregon sekretin: Armiqtë më motivuan, mendonin që s’do t’ia dilja pas dëmtimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2020 | 12:40

Sezon fantastik, Erkand Qerimaj tregon sekretin: Armiqtë më motivuan, mendonin që s’do t’ia dilja pas dëmtimit

Peshëngritja ishte sporti që i dhuroi Shqipërisë më shumë medalje se çdo sport tjetër gjatë vitit 2019 dhe një prej protagonistëve kryesorë të shtangës kuqezi ishte Erkand Qerimaj. Shkodrani zhvilloi një sezon fantastik, të cilin vetë ai e konsideron si më të mirin e karrierës, me shumë medalje dhe rekorde, si në arenën kombëtare ashtu edhe në eventet e rëndësishme ndërkombëtare. ERKAND QERIMAJ

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Qerimaj rrëfen sezonin e shkëlqyer dhe tregon gjithashtu objektivat e tij për 2020-ën, vit ku e presin gara madhore, të cilat do të kulmojnë me Lojërat Olimpike në Tokio, aty ku shkodrani pret të sigurojë edhe kualifikimin. Ai tregon gjithashtu se nga e mori motivimin pas disa problemesh fizike që ka pasur në të shkuarën.

Si ka qenë viti 2019 për Erkand Qerimajn?

Viti 2019 ka qenë ndër më të suksesshmit në karrierë për mua, pasi kam arritur të fitoj shumë medalje të rëndësishme, si në arenën kombëtare ashtu edhe në garat ndërkombëtare, ku kam vendosur edhe 7 rekorde kombëtare dhe 3 rekorde mesdhetare. Me pak fjalë, një sezon me shumë aktivitete, ku kam marrë plot suksese, pa harruar edhe pikët olimpike që kam arritur të grumbulloj. Gjithashtu, jam zgjedhur edhe sportisti më i mirë me koeficient në 5 aktivitete.

Siç dihet, keni kaluar disa probleme fizike. A mund të themi se tashmë jeni në maksimumin tuaj?

Kanë qenë probleme të cilat më kanë shoqëruar gjatë vitit 2018, ndërsa në 2019-ën mund të them që arrita t’i lë pas të gjitha ato vështirësi, duke dhuruar rezultatet e mia më të mira në karrierë.

E mbyllët sezonin me një paraqitje fantastike në Doha. Si do ta komentoni atë garë?

Ishte një event ku merrnin pjesë konkurrentët e mi nga e gjithë bota, kundërshtarë të cilët do t’i kem përballë edhe në Europianin që do të mbahet në Rusi. Mora tri medalje aty dhe sigurisht që jam shumë i kënaqur me rezultatet që arrita.zef kovaci erkan qerimaj

Çfarë pret Qerimaj nga 2020-ta?

Duke parë formën që kam treguar këta muajt e fundit, minimalisht shpresoj të thyej rekordet në shkëputje, shtytje si dhe dygarësh. Europiani i Moskës do të jetë vendimtar për kualifikimin për në Lojërat Olimpike, ku duhet të grumbulloj pikë maksimale aty, pasi momentalisht jam në vendin e tetë në botë. Kështu që, do të jetë një garë vendimtare, si për Olimpiadën, ashtu edhe për të ngritur lart flamurin tonë kombëtar në Rusi, që do të ishte një emocion i veçantë. Ndiej që ende nuk e kam arritur maksimumin tim.

Sa shanse ka shtanga shqiptare për medalje në Tokio?

Mundësitë janë, por nuk mund ta them me %, pasi fillimisht kemi Europianin dhe duhet t’i marrim shkallët një e nga një. Në radhë të parë duhet të sigurojmë kualifikimin e më pas të shpresojmë edhe për medalje, pasi Shqipëria nuk ka asnjë të tillë në Lojërat Olimpike. Kosova është para nesh në këtë aspekt, pasi e ka arritur me xhudisten Majlinda Kelmendi.

E kishit menduar në fillimet tuaja në shtangë që do të kishit një karrierë kaq të suksesshme?

Jo, pasi kur e kam filluar sportin, nuk e kam imagjinuar që do të arrij të dal kampion Europe, kampion bote për të rinj apo kampion Europe me moshat. Kam fituar më shumë se 45 medalje ndërkombëtare, rezultate që nuk i kisha menduar kurrë, por falë vullnetit dhe ambicies që kam pasur që i vogël, ia kam dalë. Kur e kam nisur shtangën, ka qenë thjesht për argëtim, për t’u larguar nga rruga e për të pasur një aktivitet fizik. Ky ka qenë edhe qëllimi i prindërve të mi, pasi ata donin që unë të merresha me sport.erkand qerimaj godelli

Nga e merrni frymëzimin për të vazhduar me rezultate fantastike?

Nëna dhe babai më kanë kultivuar dëshirën për ta përfaqësuar sa më denjësisht flamurin, ndërsa tashmë që jam bërë edhe baba, më motivon djali i vogël dhe bashkëshortja. Gjithashtu, edhe të gjithë njerëzit që më qëndrojnë pranë, të cilët më japin edhe më shumë forcë për ta ngritur flamurin shqiptar, një ëndërr të cilën e kam pasur që i vogël.

Normalisht edhe vlerësimet që kam marrë këtu, pasi kaq janë mundësitë tona, sepse ne nuk krahasohemi dot me Europën. Një shtysë e madhe për mua është profesori Zef Kovaçi, i cili më ka qëndruar gjithmonë pranë, në momente të mira e të këqija. Ndërsa përveç njerëzve që më dhurojnë dashuri, një motivim të madh kam marrë nga pjesa e armiqve, të cilët mendonin se pas dëmtimit unë nuk do t’ia dilja më.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"