Serxhio Ramos sfidon Totenhemin: Sa mirë që Kejn do të luajë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2017 | 9:58

Serxhio Ramos sfidon Totenhemin: Sa mirë që Kejn do të luajë

Humbja me Gironën është arkivuar dhe kapiteni Serxho Ramos i bën apel Realit që të përqendrohet në ndeshjen e Ligës së Kampionëve me Totenhemin. Sot në 20:45, formacioni i Zidanit ka shansin e artë të kundërpërgjigjet në fushë dhe Ramos nuk ka frikë nga prezenca e Kejnit. Madje, ai shpreson që mbrojtësi anglez të jetë në fushë.

Kejn dhe Ramos

Si u përjetua te Reali humbja me Gironën?

Sigurisht që nuk ishte një ndeshje e mirë nga ana jonë, për faktin që lamë pikë në synimin që kemi për të fituar titullin kampion. Kur mbaroi ndeshja të gjithë po bënin autokritikë, ndërkohë që Zidan po shikonte ndeshjen përsëritje.

Kush ishte fajtori për atë humbje?

Në ekipin tonë nuk ka fajtorë dhe triumfues. Kur fitojmë, fitojmë të gjithë. E njëjta gjë ndodh edhe kur humbëm. Ishte faji i të gjithëve. Në disa momente na mungoi dëshira për të vrapuar, por nuk duhet ta mohojmë që Girona bëri një ndeshje shumë të mirë dhe na mundi. Nuk është koha ta bëjmë dramatike, pasi Reali ka fituar kampionatin edhe kur ka qenë më shumë se 8 pikë larg.

Si reagoi yt bir pas ndeshjes?

Ishte shumë i mërzitur sepse e kishte marrë vesh për humbjen, por bëri ironi me mua. Më pyeti nëse kisha shënuar ndonjë gol… Bashkëshortja qëndroi e heshtur, sepse e di shumë mirë kur jam në humor dhe kur jo.

Si u ndiet kur ndodheshit në Katalunjë?

Njëlloj si në çdo vend tjetër. Pashë flamuj të Katalunjës, por edhe spanjollë. Edhe pse unë jam i mendimit që kur jemi bashkë, jemi më të fortë. Nuk shoh kurrë në të ardhmen një kampionat pa Barcelonën.

Si i keni marrëdhëniet me Pikenë?

Për të thënë të vërtetën tani jemi shumë mirë me njëri-tjetrin dhe kemi raport pozitiv. Më përpara nuk flisnim fare, por kuptuam që ishte gabim. Ai është një lojtar që ka dhënë shumë për kombëtaren spanjolle.

Si jetohet në dhomat e zhveshjes së kombëtares?

Nuk dua të tregoj asgjë për këtë. Ai është një vend i fshehtë dhe gjithçka që ndodh mbetet aty. Di të them që të gjithë lojtarët janë të përulur dhe të motivuar për qëllimin e përbashkët.

Do t’ju pëlqente që himni i Spanjës të kishte fjalë?

Sigurisht që po. Kjo gjë më shqetëson më shumë sesa pavarësia e Katalunjës. Do të më pëlqente shumë që përpara një ndeshjeje të këndoja himnin kombëtar.

E shihni veten në një të ardhme të largët në krye të federatës së futbollit?

Do të ishte diçka e bukur, por nuk është e vetmja gjë që do të bëj në të ardhmen.

Na flisni pak për penalltinë “Panenka” që realizuat në vitin 2012?

E kujtoj shumë mirë. Mora vendimin, pas ndeshjes me Bajernin, kur humba penalltinë. U thash prindërve të mi që penalltinë tjetër që do të kem në dispozicion, do ta shënoj ne stilin “Panenka”. Më thanë se do të isha i çmendur, por e provova dhe më doli mirë.

Si i komentoni deklaratat që bëri Morata për rikthimin te Reali? Tha që nuk u trajtua mirë…

Sigurisht që gazetat përpiqen t’u japin ngjyrime deklaratave dhe intervistave për të nxjerrë titujt e bukur. Megjithatë, pavarësisht se çfarë ka thënë kjo nuk e vë në diskutim dashurinë që kam dhe do të kem ndaj tij.

Kur do të rinovoni me Realin?

Është gjëja e fundit që kam ndër mend. Nuk shqetësohem aspak nga kjo temë sepse e di shumë mirë që Reali është shtëpia ime. Herët apo vonë do të vijë koha kur të vendos firmën. Mjafton një minutë, sepse unë dhe presidenti kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin.

Keni një përgjigje për Poçetinon, i cili tha se mbrojtësit duhet të shikojnë videot e Ramosit?

Ndoshta e ka pasur për faktin që ne mbrojtësit vuajmë shumë dhe ai e di këtë fakt. E vlerësoj shumë atë që ka thënë. Shpresoj që Kejn të luajë, sepse është gjithmonë bukur të luash kundër më të mirëve.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"