Serran shpjegon lamtumirën me “mirëkuptim”: Më largoi presidenti Gjici

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2017 | 13:02

Serran shpjegon lamtumirën me “mirëkuptim”: Më largoi presidenti Gjici

Nga penalltia e shkaktuar në Mold avi, te shtylla e goditur në minutat e fundit në “Elbasan Arena”, mbrojtësi Albert Serrani, bëhet “kokë turku” pas eliminimit të Kukësit nga Liga e Kampionëve. Spanjolli ka prishur dje kontratën, duke e mbyllur para kohe aventurën me Kukësin.

serran

33-vjeçari luajti vetëm dy takime në Champions ndaj Sherif Tiraspolit dhe pa kaluar as 24 orë nga ndeshja e kthimit, që vulosi eliminimin dramatik të Kukësit, u thirr menjëherë në zyrë nga presidenti Safet Gjici. “Panorama Sport” mëson se, pas asaj që ndodhi në Moldavi, kur lojtari preku topin me dorë dhe nga ajo penallti, u vendos në një farë mënyrë eliminimi.

Kreu i klubit e kishte marrë vendimin: do të prishte kontratën me spanjollin. Në fakt, vetëm një muaj më parë, mbrojtësi firmosi për një vit me Kukësin, teksa nga kjo kontratë do të përfitonte 60 mijë euro në sezon. Klubi i kishte dhënë një rrogë parapagim lojtarit dhe mësohet se dje në takimin që Serrani pati me presidentin Gjici, i shoqëruar nga menaxheri i tij, Kostandin Grillo, është arritur në një prishje të marrëveshjes me mirëkuptim.

DYSHIMET

Serrani ka qenë i dëshpëruar pas ndeshjes në Moldavi, për faktin se në klub kishte dyshime rreth pastërtisë së tij, aq sa i bënë një kontroll të plotë celularit dhe laptopit të spanjollit për prova të mundshme manipulimi të ndeshjes. Kontrolli nuk shërbeu për asgjë dhe më pas drejtuesit e Kukësit i kërkuan falje Serranit.

Serran

Por, edhe “pajtimi publik” me festimin e datëlindjes së 33-të të tij, ku ishte i pranishëm edhe presidenti Gjici, duket se nuk shërbeu. Si për koincidencë, Serrani u bë pjesë e Kukësit zyrtarisht më datë 20 qershor dhe u largua nga klubi pikërisht në të njëjtën datë të muajit të ardhshëm, 20 korrik.

REAGIMI

Mbrojtësi spanjoll ka folur dje për “Panorama Sport”, duke theksuar se ishte presidenti Gjici, ai që e largoi nga Kukësi. “Nuk e kam prishur me vullnetin tim kontratën. Dua të sqaroj se s’ka qenë vendimi im për t’u larguar nga Kukësi. Në mëngjesin e së enjtes, presidenti Gjici ka marrë në telefon agjentin tim dhe i ka thënë që të paraqitet në zyrë për të prishur marrëveshjen.

Serran

Gjici nuk kishte dëshirë që ne të bashkëpunonim më tej. Megjithatë, unë e respektova vendimin e tij, sepse për një klub që nuk të dëshiron, nuk ke pse lufton për të. Shkova në zyrën e presidentit dhe prisha marrëveshjen. Kjo është e gjitha, nesër (sot) nisem për në Barcelonë. Nuk kam asnjë betejë për të ndjekur me Kukësin në vazhdimësi, sepse kontrata ime u prish dhe tashmë do të shikoj për një skuadër tjetër.

serran

Jam gjendur i papërgatitur për këtë situatë, pasi mendoja të qëndroja te Kukësi dhe nuk e dija që aventura ime do të zgjaste vetëm dy ndeshje. Më vjen keq që gjërat shkuan kështu, i uroj suksese Kukësit në kampionat”, – ka thënë Serrani. I pyetur nëse për këtë largim ndikoi shumë ajo që i ndodhi në Moldavi, spanjolli u shpreh: “Nuk dua të merrem me atë që ndodhi në Tiraspol apo cilat ishin arsyet e prishjes së kontratës”.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"