Sërish Real-Inter, Modriç dhe Herrera rindezin luftën në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2018 | 20:25

Sërish Real-Inter, Modriç dhe Herrera rindezin luftën në merkato

Pas tratativës Juventus-Kristiano Ronaldo, ishte ajo mes Interit dhe Luka Modriçit që mbajti peshë merkaton e kësaj vere, por në fund, mes shumë bisedimesh dhe përgënjeshtrimesh, madje edhe kërcënimesh dhe denoncimesh në UEFA, gjithçka mbeti në vendin e vet, por me sa duket dueli Inter-Real Madrid do të vazhdojë pse jo edhe në merkaton e dimrit. Nga Italia nënvizojnë se drejtori sportiv zikaltër, Piero Auzilio, pasi nuk ka mundur që të afrojë kroatin, edhe pse kishin fjalën e këtij të fundit, kanë hedhur “rrjetat” te një tjetër fantazist si Hektor Herrara.

modric

“Regjisori” i skuadrës së Portos dhe i Kombëtares së Meksikës shihet si lojtari që mund të plotësojë dhe të shtojë dozën teknike dhe të fantazisë në mesfushën zikaltër, prandaj në merkaton e dimrit do të ketë një sulm për të tentuar blerjen e amerikano-veriorit. Por ndoshta për hakmarrje apo për nevojë, e përditshmja “As” dje ka nënvizuar se në gjurmët e lojtarit është edhe Reali i Madridit. Më shumë sesa për hakmarrje, drejtuesit spanjollë nënvizojnë se presidenti Florentino Perez e pëlqen shumë meksikanin dhe duke parë që nga ana tjetër nuk ka arritur të bindë as Luka Modriçin për të rinovuar (kroati e ka shtyrë ftesën e Perezit), atëherë është pikërisht Herrera lojtari që ai mendon se mund të bëjë punën e ballkanasit në mesfushën madrilene.

Herrera

Dhe në mënyrë direkte, rrugët e Interit dhe të Realit kryqëzohen sërish. Tani, ajo që mbetet për t’u kuptuar është se, të dyja këto skuadra do të vendosin që t’i shpallin sërish luftë njëra-tjetrës, apo të harrojnë gjithçka ndodhi në verë dhe të zgjidhin këtë intrigë me inteligjencë. Si? Luka Modriç ka shtyrë rinovimin me Realin dhe ky duket një sinjal tjetër për Interin, për ta tentuar në merkaton e dimrit.

Por nëse kjo ndodh, zikaltrit do t’i duhet t’i hapin rrugë Reali për Hektor Herrerën, edhe pse diçka e tillë duket shumë e vështirë që të ndodhë, duke parë se nervozizmi i Florentino Perezit ndaj Interit arriti deri aty sa ta dënonte në FIFA klubin italian, për bisedimet me Modriçin. Gjithsesi, beteja në distancë ka nisur…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"