Seria A po vuan prej investimeve, 900 milionë euro dhe asnjë risi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2017 | 20:20

Seria A po vuan prej investimeve, 900 milionë euro dhe asnjë risi

Me mbi 900 milionë euro të shpenzuara, Seria A nuk po respekton pritshmëritë, përkundrazi, më mirë janë nisur ekipet që kanë ndryshuar më pak. Të ardhurit e ri nuk po shënojnë, blerjet nuk po justifikojnë shpenzimet dhe starti ka qenë zhgënjyes për shumicën e ekipeve për sa u përket lojtarëve të ardhur në merkaton e fundit.

Seria A

BILANCI – Me mbylljen e eliminatoreve të Italisë dhe në pritje të “play-off”-it, Seria A kridhet në javën e tetë, një tur që zbulon një realitet paradoksal të shtatë javëve të para: Merkato më e shtrenjtë në historinë e futbollit italian ka prodhuar rezultate minimale, gati të padukshme. Duke e thjeshtësuar disi, ato 900 milionë euro të shpenzuara nuk po bëjnë ende diferencën, as ndër vendet e para dhe, aq më pak, ndër të fundit.

seria

GOLAT – Duke analizuar formacionet titullare dhe sidomos klasifikimin e golashënuesve, duket sikur Seria A ka mbetur në vendnumëro. Rrjetat vazhdojnë t’i tundin të njëjtët. Në 14 vendet e para, që nisin me dhjetë golat e Dibalës dhe mbyllen me tre të Belotit, vetëm një futbollist shënon, pavarësisht se ka ndryshuar fanellë në verë. Bëhet fjalë për Siril Tero.

Fakti i çuditshëm për sulmuesin në fjalë është se ka shënuar më shumë në gusht (2 gola në 2 ndeshje) se sa në pesë javët pasuese ku ka realizuar vetëm në një rast. (11-m ndaj Fiorentinës). Duke u thelluar në këtë të dhënë rezulton se nga 199 golat e shënuar deri tani në Serinë A, vetëm 41 prej tyre mbajnë firmën e të ardhurve të rinj.

serie-a-tim

GOLASHËNUESIT – Ndër të ardhurit që kanë shënuar më shumë duhet zbritur në fund të tabelës së bomberave. Në kuotën e dy golave janë përmbledhur shumica e tyre, ku spikasin emrat e Palasios, Kaliniçit, Zapatës apo Maksi Lopezit.

Ndoshta janë pak realizimet, por ka edhe nga ata që duhen ende të “zhbllokohen”. Pavoleti, Falçineli dhe Douglas Kosta janë disa prej tyre pa harruar edhe treshen e Milanit Andre Silva, Çalhanoglu dhe Borini. Fiorentina mban deri në këtë moment kreun e ekipeve që kanë përfituar më shumë nga të rinjtë me 6 gola nga 10 lojtarë që kanë zbarkuar në Firence.

KTHESAT – Revolucionet në nivel organikë jo gjithmonë japin fryte të menjëhershme dhe si shembull mund të përdoret fare mirë Milani. “Djalli” është i vetmi ndër klubet e mëdha që ka përdorur më shumë prurje të reja, me plot 11 lojtarë. Risitë kanë shtuar pritshmëritë, por tre humbjet në kampionat janë një e dhënë jo fort ngush- ëlluese. Përveç kuqezinjve, është edhe Xhenoa, e cila në vitet e fundit ka qenë shpesh “viktimë” e ndërrimeve të shumta në skuadër nga ana e presidentit Preciozi.

TË ZAKONSHMIT – Napoli është skuadra që ka ndryshuar më pak nga të gjitha pjesëmarrëset e Serisë A. Merkato minimaliste me Una dhe Mario Rui dhe vend i parë në klasifikim, aspak keq për djemtë e Sarrit. E dyta në këtë klasifikim është Juventusi që ndoshta ka lëvizur më shumë në merkato se sa Napoli, por në fund Alegri ka vendosur të besojë në boshtin e vjetër. Edhe Interi ka bërë disa afrime në merkaton e verës, por nga të gjithë të ardhurit vetëm Shkrinjar dhe Borha Valero kanë luajtur gjithmonë titullarë.

LOJTARË KYÇ – Emra të rinj, blerje të shtrenjta, por diferencën po e bëjnë të njëjtët. Mertens, Insinje, Kajehon për Napolin, Pjaniç, Manxhukiç dhe Dibala për Juven, Handanoviç, Perisiç dhe Ikardi tek Interi vazhdojnë të jenë boshtet e skuadrave përkatëse. Megjithatë, të rinjtë kanë arritur të gjejnë hapësirë dhe nga 433 lojtarët që kanë zbritur në fushë këtë sezon, 161 janë nga ata që kanë ndryshuar skuadër.

Shifra bie ndjeshëm kur bëhet fjalë për aktivizime të rregullta në shtatë javët e para, ku vetëm 28 futbollistë nga të ardhurit e rinj kanë pasur njëfarë rregullsie në aktivizime. Trajnerë, module dhe boshte vazhdojnë të bëjnë ligjin, ndërsa siguritë i dhuron renditja me ata që kanë shpenzuar një pjesë të mirë të 900 milionëve që presin të marrin frytet e investimeve të tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"