Seria A gati për të startuar, ja kush pritet të shpallet kampion në Itali sipas algoritmit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2022 | 14:41

Seria A gati për të startuar, ja kush pritet të shpallet kampion në Itali sipas algoritmit

Një vit më parë, në nisje të sezonit, Interi dhe Juventusi cilësoheshin favoritet për titullin në Itali. Pas tyre Napoli, teksa të paktë ishin ata që besonin te Milani. Në thuajse 365 ditë distancë, situata nuk ka ndryshuar.

seria a

Kampionët e Italisë kapërcejnë në parashikime vetëm skuadrën e Spaletit, teksa kurora e Serisë A do të jetë përsëri çështjes mes “Zonjës së vjetër” dhe zikaltërve.

Goditjet në merkato konfirmojnë ambiciet e secilës, por pavarësisht përforcimeve dhe lojës së kolauduar, askush nuk i llogarit djemtë e Piolit që përsëri do të jenë vetëm kundër të gjithëve.

Për ta mund të jetë edhe një ogur i mirë. Fundja edhe vjet të gjithë mendonin ndryshe, por në fund e dimë se si përfundoi. Lot në Milanon zikaltër, teksa në Torino u festua vendi i katërt si një titull. Çështje këndvështrimesh…

ALGORITMI – Seria A do të nisë sot në orën 18:30 me ndeshjen Milan – Udineze, por në Shtetet e Bashkuara me sa duket e kanë gjetur që tani fituesin. Sipas disa ekspertëve amerikanë në përllogaritjet sportive, Interi do të kurorëzohet kampion në fund të sezonit. Algoritmi i quajtur “SPI” (Indeksi u fuqisë në futboll) ka llogaritur gjithçka duke u bazuar te statistikat ekipore dhe individuale.

Siç thamë, zikaltrit do të mbërrijnë të parët në finish, teksa pas tyre do të renditet Milani. Vendi i tretë dhe i katërt përbejnë surprizën më të madhe. Përkatësisht do t’i takojnë Napolit dhe Atalantës, duke lënë jashtë Champions-it, Romën dhe Juventusin.

Pikërisht bardhezinjtë do të mbyllin kampionatin në vendin e shtatë të paraprirë nga Roma dhe Lacio. Ndërkohë, dhjetëshja e vendeve të para do të mbyllet nga Fiorentina, Torino dhe Sasuolo.

ÇËSHTJE PIKËSH – Simone Inzagit do t’i mjaftojnë 78 pikë për t’u shpallur kampion. Edhe pse Milani do ta mbyllë sezonin në vendin e dytë me 7 pikë më pak. Napoli do të ketë 68 pikë, teksa Atalanta 65.

Duke folur për shifrat, shanset e Interit kampion janë në vlerën 36 për qind. Lajmet e këqija vijnë për Kremonezen, Specian dhe Salernitanën. Kjo treshe do të jetë në këtë rend në vendet e fundit të klasifikimit duke përjetuar kështu rënien në Serinë B.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"