Serbia na mund për 13 minuta, Shqipëria U-17 lamtumirë Europianit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2016 | 13:14

Serbia na mund për 13 minuta, Shqipëria U-17 lamtumirë Europianit

Kombëtarja U-17 e ka humbur edhe ndeshjen e dytë për kualifikueset e Kampionatit Europian 2017 që do të zhvillohet në Kroaci. Pas disfatës me Italinë para dy ditësh, kuqezinjtë e vegjël sot u mposhtën 2-0 nga Serbia në duelin e vlefshëm për Grupin 4.

Kombetarja U-17 vs Serbi

Në stadiumin “Bruno Buçi” të qytezës Rusi, ekipi i trajnerit Mustedanagiç e pa veten në disavantazh pas vetëm pesë minutash. Dean Liço pengoi në zonë Stupareviçin dhe nga pika e bardhë kapiteni Djerlek u tregua i saktë.

Ende pa e marrë veten nga goli i pësuar, ekipi ynë u ndëshkua sërish. Radivoj Bosiç mposhti portierin Sinani me një gjuajtje nga kufijtë e zonës, duke e bërë të sigurt fitoren e serbëve.

Kuqezinjtë u përpoqën të reagonin, por e patën të vështirë të organizoheshin në sulm përballë një kundërshtari më cilësor.

Përfaqësuesja jonë e mbylli lojën me dhjetë lojtarë, pasi mbrojtësi Enes Isufi u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë gjashtë minuta para fundit të kohës së rregullt.

Me këtë humbje Shqipëria u thotë lamtumirë shanseve për t’u kualifikuar në Raundin Elitë. Serbia merr kryesimin e grupit me pikë të plota, në pritje të Italisë që do të luajë me Maqedoninë.

Pikërisht fqinjët lindorë do të jenë kundërshtari i radhës i ekipit shqiptar në ndeshjen përmbyllëse, të hënën, ora 15:00 në stadiumin “Tulio Morganji” të Forlit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"