Serbi Xhokoviç kërkon falje publike: Do të ndihmoj këdo kam infektuar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2020 | 21:07

Serbi Xhokoviç kërkon falje publike: Do të ndihmoj këdo kam infektuar…

Pas turit tenistik të organizuar prej tij, në Beograd dhe Zadar, të cilët shkaktuan një vatër infeksioni me “COVID-19”, në të cilin jo vetëm Novak Xhokoviç dhe bashkëshortja e tij, Jelena, por me Koronavirus rezultuan edhe homologët bullgarë e kroatë, Grigor Dimitrov e Borna Çorriç, rrezja e infektimit zgjerohet edhe më shumë.

Novak-Djokovic-Covid-19

Dje u konfirmua edhe ylli i NBA-së për skuadrën e Denverit, Nikola Jokiç, një prej miqve dhe të ftuarve specialë në festën e organizuar në diskotekë nga Xhokoviç, por shtimi i rasteve rrezikon që të bëhet edhe më i madh. Pas kësaj gafe të numrit një të botës në tenis, vetë Xhokoviç ka vendosur që me anë të një postimi të kërkojë falje publike dhe në të njëjtën kohë të shprehë gatishmërinë e tij për ndihmë mjekësore për këdo që ai mund të ketë infektuar gjatë turneut dhe gjatë festës që ka bërë xhiron e rrjetit në ditët e fundit.

“Unë dhe bashkëshortja ime Jelena jemi konfirmuar me ‘COVID19’, por fëmijët tanë kanë rezultuar negativë. Së bashku jemi karantinuar dhe çdo 5 ditë do të kryejmë tamponin. Ideja jonë ishte që të organizonim një turne për shkaqe bamirësie, por, me sa duket, u gabuam, pasi ndoshta ishte shumë herët për të vepruar në këtë mënyrë.

Ndoshta, fjalët për të shprehur keqardhjen time nuk janë të mjaftueshme dhe askush nuk mund ta kuptojë atë që ndiejmë, duke parë se çfarë ka ndodhur, por për këdo që ka qenë pjesë e ‘Adria Tour’ apo kushdo që ka qenë pranë meje dhe asistentëve të mi, në Beograd e Zadar, jam gati që të mbuloj me asistentë mjekësore këdo që kam infektuar”, postonte serbi.

KIRGIOS E SULMON – Një prej më kritikëve, pasi mësoi për pozitivitetin e Xhokovoçit me Koronavirus, ishte australiani Nik Kirgios, ndoshta tenisti më rebel i raketës. Për sportistin me origjinë greke, sharjet, sherret apo thyerja e raketave që ai ka ofruar në fusha të ndryshme të botës është zero, krahasuar me çmendurinë e bërë nga serbi.

“Çfarë dreqin bëhet! Këto ditë jam falur shpesh, me shpresën se të gjitha lutjet e mia të dëgjohen dhe të ndihmojnë ata që janë prekur nga Koronavirusi. Por ju lutem, tani mos më thoni se çdo gjë që unë kam bërë në të kaluarën kanë qenë papërgjegjshmëri apo budallallëqe, sepse kjo e Xhokoviçit i mund të gjitha”, ishin fjalët e Kirgiosit, që për më tepër nuk ngurroi që të shpërndajë edhe videon e festës në një diskotekë të Beogradit të Novak Xhokoviçit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"