Serbi i Besëlidhjes i dashuruar me Shqipërinë: Më pëlqen të luaj këtu!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2022 | 14:04

Serbi i Besëlidhjes i dashuruar me Shqipërinë: Më pëlqen të luaj këtu!

Besëlidhja ka mbyllur sezonin dhe ka nisur pushimet verore. Me lezhjanët e mbyllën sezonin edhe tre futbollistët serbë, mbrojtësit Milutin Cimesha, Darko Radenkoviç dhe mesfushori Zharko Iliç. Mbrojtësi Milutin Cimesha për “Panorama Sport” foli për sezonin e tij në Lezhë dhe të ardhmen.

cimesha

“Pas një sugjerimi nga një mik futbollist, transferimin në Shqipëri në merkaton e janarit e prita me gëzim. Ndërsa nga miqtë e mi futbollistë, që kishin luajtur në Shqipëri, mora garanci pozitive ndaj edhe pranova pa rezerva Besëlidhjen. Kur erdha në Lezhë, ishte mbyllur faza e parë dhe ekipi ndodhej në pozicion kritik.

Sapo nisi minifaza përgatitore e janarit, unë bashkë me dy bashkëkombësit e mi nisëm stërvitjen nën urdhrat e trajnerit Bruka. Pozicioni në tabelë me cilësinë e ekipit nuk përputhej, por në futboll edhe fati vendos shpesh.

Faza e dytë ishte e suksesshme dhe ia dolëm të mbijetonim për mrekulli kundër të gjithëve, madje edhe kundër fatit. Tani jam kthyer në shtëpi, pasi kemi nisur pushimet verore.

Dëshira është që të luaj përsëri në Shqipëri, por edhe këtu në Serbi kam disa oferta, madje edhe nga elita e futbollit serb. Këto po i studioj me menaxherin tim.

Kategoria e Parë në Shqipëri ishte shumë e fortë, edhe rregullat e sezonit që mbyllëm po ashtu. Ato stimulonin një konkurrencë shumë të egër, ndaj mbijetesa e Besëlidhjes meriton përgëzime.

Eksperienca 5-mujore në Lezhë ishte mjaft pozitive. Dua ta shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar disa persona që na kanë mbështetur mjaft.

Në radhë të parë, dua të përshëndes presidentin Gjok Noka për mbështetjen, trajnerin Alban Bruka për profesionalizmin në selektimin e formacionit bazë dhe drejtimin teknik të ekipit, po ashtu edhe mjekun Denis Fasllia, i cili na është gjendur pranë në çdo kohë kur kemi pasur nevojë.

Në fund, dua të përshëndes të gjithë çunat duke u uruar pushime të mbara dhe sukses në futboll”, u shpreh 21-vjeçari serb.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"