Serbët e Spartakut, të fortë për Studentin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2015 | 21:39

Serbët e Spartakut, të fortë për Studentin

volejStudenti, kampionia e Shqipërisë në volejboll për meshkuj, ka humbur ndeshjen e parë 3-0 ndaj serbëve të Spartak Ljig, e vlefshme për turin e dytë të “Challenge Cup”. Shtatlartësia, por edhe përvoja ndërkombëtare e lojtarëve miq, bën diferencën në parket. Për vetë rëndësinë e sfidës, dje ra në sy një prezencë e madhe e uniformave blu, edhe nga reparti Shqiponja. Sa i përket ndeshjes, që në setin e parë u duk qartë superioritet i kampionëve të Ballkanit që shkëputen 4-0 dhe trajneri Tomorri sinjalizon pushimin e parë. Rashketa kalon topin mbi murin serb dhe shënon pikën e parë për Studentin.

Por vendësit nuk kanë forcën për të përballuar ritmin e rivalëve dhe humbin shpejt terren 3-8, 6-12, 8-15. Dyshja shkodrane Qafarrena-Rashketa, nga më të mirët në mbrëmjen e djeshme, japin hera-herës sinjale pozitive. Nuk mbetet mbrapa as shkodrani tjetër Qerraxhija, edhe ky protagonist pas një ngecjeje të bukur. Në inferioritet 12-22, tekniku Tomorri i jep mundësinë organizatorit me përvojë, kapitenit Tukseferi, në vend të Çalit. Qerraxhija gabon nga shërbimi dhe i jep fitoren e setit serbëve 25-14. Thuajse e njëjta tablo serviret edhe në setin e dytë me Spartak Ljig, që shkëputet që në pikët e para dhe e thellon avantazhin me kalimin e kohës, 6- 12, 9-17, 10-19 dhe fiton 25-17. Studenti ndez motorët në setin e tretë, i ndihmuar edhe nga tifozëria, por pa mundur për të rihapur ndeshjen. Edhe seti i tretë nis me një epërsi të skuadrës mike 4-8, 6-9, por Studenti e rrit dukshëm nivelin e lojës dhe rikuperon me Qafarrenën e Rashketën.

Madje, 14-ta e Studentit bën një superbllok në qendër ndaj Lazareviç. I suksesshëm në bllok edhe Çali ndaj kapitenit Periç, më i miri për serbët dhe 10-10 (barazimi i parë). Elektrizohet atmosfera dhe Studenti e sheh veten tashmë në avantazh 12- 11 për herë të parë këtë ndeshje, çka sjell panik te serbët dhe pushim për ta. Qerraxhija lëshon një “silurë” nga shërbimi dhe 14-12. E ndez situatën edhe Ledion Martiro dhe Studenti udhëheq me meritë 18- 15, 19-17. Në pikën e 22-të për Spartakun, pankina e Studentit ka pretendime për gjykimin. Asistenti nga San Marino pretendon për një vendosje të gabuar të ekipit të Studentit, që kundërshtohet nga vendësit. Më tej, serbët rikuperojnë në lojë e rezultat dhe vulosin fitoren 3-0 nga shërbimi me Duduj. Ndeshja e kthimit do të luhet më 18 nëntor dhe serbët janë një hap larg kualifikimit për në turin e tretë.

Studenti-Spartak Ljig 0-3
(14-25, 17-25, 23-25)
STUDENTI: Kono, Qerraxhia, Çali, L.Martiro, K.Martiro, Malaj, Gorenxa (l), Memia, Kasa, Tukseferi, Rashketa, Qafarrena. Trajner: Y.Tomorri
SPARTAK LJIG: Duduj, Todosijeviç (l), Periç, Gajeviç, Dojçiloviç, Smiljaniç (l), Glaviniç, Arsenoski, Lazareviç, Milovanoviç, Radosavljeviç, Iliç. Trajner: B.Veliçkoviç.
GJYQTARË: J.Niklova (Sllo), M.Sgro (S.Mar)
NDESHJA E DYTË, 18 NËNTOR Spartak Ljig (Ser)-Studenti 19:00 GJYQTARË: L.Globacnik (Sllo), M.Horvat (Hun)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"