Sentamu: Treguam kush është Tirana, jemi liderët e Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 2, 2017 | 22:55

Sentamu: Treguam kush është Tirana, jemi liderët e Kategorisë së Parë

Junus Sentamu është shndërruar në njeriun-gol te Tirana. Në 180 minuta radhazi e ka gjetur 4 herë rrjetën, duke dëshmuar se ai mund të jetë sulmuesi i shumëkërkuar i bardhebluve. Shifrat flasin vetë, ndaj në kampin kryeqytetas shpresojnë që lojtari të ruajë të njëjtin raport me portat kundërshtare dhe të kthehet në një “makineri” golash.

sentamu

Vetë ugandezi është në delir, ndërsa, pas trepikëshit të fundit që morën ndaj Naftëtarit, nuk ka ngurruar që të përcjellë emocionet që po përjeton edhe në “Instagram”.

“Ulërimat i bëjnë keq zërit, por ndonjëherë ndihmojnë zemrën”, shkruante fillimisht 23-vjeçari, bashkëngjitur me foton kur po festonte njërin prej golave. Por nuk e ka lënë me kaq, pasi në një postim të radhës ai deklaron se Tirana është lidere e së Parës. Kujtojmë që pas 3 javësh në këtë kategori, bardheblutë kanë marrë komandën e grupin B me 9 pikë të plota.

“Tri pikë, asnjë gol i pësuar dhe jemi liderët e momentit në Kategorinë e Parë. Ndeshja e fundit para pauzës së Kombëtares dhe dhamë një përgjigje të qartë se kush është Tirana”, shkruante autori i dy dopietave me Pogradecin dhe Naftëtarin.

Kombëtarja

Junus Sentamu po kalon një moment realisht të mirë me bardheblutë, por, nëse nuk do ta përndiqnin hijet e së shkuarës, ai dje do të ishte nisur drejt Ugandës bashkë me patriotin e tij, Toni Mavejen. Lojtari priste një ftesë nga Kombëtarja për ndeshjet e tetorit, megjithatë dënimi e penalizon ende. Sulmuesi është përfshirë në një skandal të madh seksual në Ugandë.

Ai është vënë nën akuzë në vendin e tij, pasi u zbulua se u siguronte prostituta lojtarëve të përfaqësues ugandeze dhe pikërisht në kohën kur ishin të grumbulluar për Kupën e Kombeve “Afrikë 2017”. Por situata është agravuar, pasi ai ishte pjesë e një grupi që kërcënoi se nuk do të merrnin pjesë në Kupën e Kombeve nëse nuk do të paguheshin. Ndaj, që prej asaj kohe, ai është lënë jashtë Kombëtares.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"