Sentamu kapiten i Tiranës, Ze Maria sqaron tifozët: Ja pse e zgjodha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2017 | 15:05

Sentamu kapiten i Tiranës, Ze Maria sqaron tifozët: Ja pse e zgjodha

Shiriti i kapitenit ka qenë gjithnjë një çështje e nxehtë te Tirana. Ndoshta jo sa një dekadë më parë, kur në fushën e blertë zbrisnin lojtarë kalibri si Muka, Alimehmeti, Dede, Sinani, Salihi, Sina, Patushi, Xhafaj, Lila etj., por gjithsesi edhe sot është e ndjeshme. Prandaj, edhe pas ndeshjes me Shënkollin u diskutua gjatë vendimi i trajnerit Ze Maria për t’ia dhënë shiritin Junus Sentamut.

Ze Maria Tirana

Sulmuesi realisht ka bërë mirë që nga koha kur ka veshur këtë fanellë, por nëse ke Kërçikun, Dajën apo ndonjë tjetër në fushë, që mbi të gjitha kanë shumë më tepër kohë te Tirana se sa ugandezi, atëherë natyrisht nisin hamendësimet, kritikat dhe shfryrjet. Por për dreq, rrjetet sociale dhe media online nuk të ndihmon që situata të kalohet thjesht me komente tifozësh.

Të ndjeshëm për hierarkinë e Tiranës janë edhe ata që dikur e kanë veshur atë fanellë. Nuk dalin hapur ndoshta, por diçka ndër dhëmbë mund ta murmurisin. Po, po, edhe sot që skuadra është në Kategorinë e Parë dhe nuk e shohin me “lupë” si më parë.

Për ta sqaruar çështjen e kapitenit, “Panorama Sport” bisedoi me trajnerin Ze Maria. I befasuar disi nga përmasat që ka marrë vendimi i tij në rrjetet sociale, braziliani shpjegoi se përse në mungesë të Karabecit dhe Likës vendosi t’ia japë shiritin 22-vjeçarit nga Uganda.

Mister, çfarë ndodh me çështjen e shiritit të kapitenit te Tirana?

Nuk ka asnjë çështje. Në mungesë të kapitenit (Karabeci) dhe zv/ kapitenit (Lika), vendosa që shiritin t’ia lë Sentamut.

A ka një hierarki në skuadër, apo shiriti mund të ndryshojë në varësi të situatave, apo qoftë edhe preferencave tuaja?

Natyrisht që ka hierarki, por së pari më lejoni të them se kjo nuk është një çështje e juaja (i referohet medias) dhe nuk ka pse të diskutohet një vendim i tillë në mënyrë kaq të stërzgjatur.

Në fakt, kjo çështje është trajtuar me bujë në qarqe të ndryshme të tifozërisë së Tiranës dhe ne, për të qenë korrektë, po ju pyesim për të hedhur sadopak dritë dhe për të qenë sa më korrektë…

Atëherë po ju them se ishte një vendim i imi i zakonshëm. Në mungesë të dy liderëve, vendosa t’ia jepja shiritin një djaloshi të ri, si Sentamu, i cili ka bërë realisht mirë në këto javë kampionat dhe unë thjesht doja ta motivoja akoma më shumë duke e ngarkuar me pak më tepër përgjegjësi. Por, mos mendoni se unë nuk di t’i ndaj gjërat…

Për çfarë e keni fjalën?

E kam fjalën se ishte thjesht vendimi i një trajneri për të motivuar akoma më shumë një djalë të ri. Unë e di shumë mirë se Daja mund të mbajë çdo ditë shiritin e kapitenit, sepse ka personalitet dhe aftësinë për ta bërë këtë. Po ashtu, edhe Kërçiku, apo dhe gjithë të tjerët. E them me bindje të plotë se të gjithë te Tirana kanë shpirtin e sakrificës dhe përulësinë që një ditë të mund të mbajnë shiritin e kapitenit. Nuk shoh arsye se përse duhet diskutuar kaq gjatë një vendim fare normal.

Si e priti pjesa tjetër e skuadrës vendimin tuaj?

Normalisht. Kam lojtarë aq të pjekur sa, në një rast si ky, të kuptojnë edhe qëllimin se përse bëhet edhe një vlerësim.

Pra nuk deshët t’i jepnit dikujt ndonjë “mesazh” aty brenda grupit?

Jo, kurrsesi. Për mua, të gjithë një ditë mund të mbajnë shiritin e kapitenit. Nuk ekziston asnjë çështje e tillë, e kotë të ekzagjerohet.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"