Sentamu ha presionin, kthehet në stërvitje. Tirana gati me “tredhëmbësh” ndaj Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2018 | 20:08

Sentamu ha presionin, kthehet në stërvitje. Tirana gati me “tredhëmbësh” ndaj Luftëtarit

Junus Sentamu rikthehet në Shqipëri. Lojtari ka “zbarkuar” në kryeqytet mbrëmjen e së enjtes dhe dje është vënë zyrtarisht nën urdhrat e Ze Marias. Duket se sulmuesi e ka ngrënë “presionin” dhe nuk ka përsëritur vonesat e së shkuarës, kur shkonte drejt vendlindjes dhe harronte që të kthehej. Kujtojmë që klubi para se t’i jepte lejen për t’u grumbulluar me Kombëtaren, e paralajmëroi që të vinte brenda afateve. Për këtë motiv edhe bileta iu pre vajteardhje, në mënyrë që lojtari të shmangte justifikimet që mund t’i dilnin rrugës.

“Kërcënimi” i bërë ka sjellë efektet e veta. Drejtuesit ia bënë më shumë se të qartë se nëse do të bënte numra edhe këtë herë, dënimi do të ishte ekzemplar dhe ndoshta mund të kalonte kufijtë e ndonjë gjobe. Pasi u vendos nën urdhrat e Ze Marias, mund të themi që sulmuesi është gati për të marrë minuta edhe kundër Luftëtarit. Edhe pse ka qenë i shkëputur nga grupi, këtë herë ka kryer stërvitje sistematike. Gjithsesi, vendimi final i takon vetëm trajnerit brazilian.

sentamu

Sulmi – Tirana do të vijë me ndryshime ndaj Luftëtarit. Nëse tri javët e para nuk dhanë rezultate, këtë herë nuk tolerohen më “blofet”. Fitorja është i vetmi objektiv, madje për këtë 90-minutësh edhe barazimi është i “fshirë” nga fjalori i bardhebluve. Në kësi kushtesh pritet që nesër në fushë të zbresë një ekip i gjithi sulmues. Vetëm një gol i shënuar në 270 minuta vendosën para përgjegjësisë edhe ofensivën, ndaj tashmë kërkohen golat. Për këtë motiv, Ze Maria ka menduar që në fushë të hedhë tre sulmues. Nnamdi Oduamadi është projektuar titullar. Ish-lojtarit të Milanit, pasi luajti në kupë, tashmë i ka ardhur radha që të debutojë në Kategorinë Superiore, por “pesha” e golit nuk do i mbetet vetëm atij, pasi në 11- she pritet që të jetë edhe Uinful Kobina, i cili veç dopietës dha edhe dy asiste ndaj Ilirisë. Paqartësi ka për lojtarin e tretë që do të kompletojë ofensivën. Mund ta nisë nga minuta e parë Blazhevski, por edhe Ngo. Ky i dyti dha sinjale të mira në mesjavë, por ende nuk garanton një ndeshje me minutazh të plotë.

Capture

Rrotacioni – Dhe nëse Hoze Marselo Ferreira vendos që anglezi mund ta nisë si titullar në kampionat, atëherë do të sakrifikohet një lojtar i huaj. Toni Maveje nuk lëviz, e në kësi kushtesh “sakrifikohet” Vincent Atinga. Me uljen në stol të mbrojtësit kenian, qendra do i besohet Turtullit, Cakes ose Berishës, që pret ende të debutojë si bardheblu. Edhe pse përballë kishin një kundërshtar modest në kupë, ajo ndeshje u shfrytëzua prej stafit teknik për të provuar formacionin “tip”, që mund të luajë edhe të dielën ndaj gjirokastritëve. Gjithsesi, vendimi final mund të merret sot, pasi as dje nuk u fiksua 11-shja.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"