“Senatorët” kundër Ze Marias, xhelozi tek Tirana. Ja situata e brazilianit në krye të klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2018 | 21:51

“Senatorët” kundër Ze Marias, xhelozi tek Tirana. Ja situata e brazilianit në krye të klubit

Në letër Tirana sot duhet të ishte skuadra për t’u mundur, por në realitet është ekipi i parafundit në tabelën e klasifikimit. Paçka ulje-ngritjeve të pagesave, Tirana në këtë nisje të kampionatit kishte një trajner ekspert, shumë të paguar, i cili kishte me më shumë se një vit në Shqipëri duhet të kishte ndërtuar një skuadër kompetitive, por që në 270 minuta ka sjellë vetëm zhgënjim dhe shumë probleme. Sigurisht, fajet nuk janë të gjitha të trajnerit.

Secili ka mëkatet e tij, duke filluar nga Halili deri te lojtari më i ri në ekip, por situata e Ze Marias është përtej normales. Trajneri i Tiranës duket se nuk ka kuptuar qartë Superioren ose të paktën e ka marrë lehtë. Ka pasur luksin të ndërtonte një skuadër prej qershorit të 2017- ës, por nuk ia doli, ndonëse vjet shpeshherë pretendonte se ekipi i tij ishte për më të mirët. Kalimi nga kategoria në kategori e ka habitur trajnerin, i cili është gjendur i papërgatitur për futbollin e madh. Gabimet e tij janë të pafalshme, sa tani rrezikon shkarkimin nga pozicioni i trajnerit.

ze-maria

MERKATOJA DHE BRAZILIANI – Gjatë gjithë kohës, Ze Maria është ankuar se klubi nuk merrte lojtarët që ia seleksiononte. Paulista dhe Olivera, por edhe Musa e Muguna u sollën nga trajneri sezonin e shkuar. Rezultuan dështime dhe u kthyen pas. Menjëherë, në janar klubi ndërhyri dhe i bëri të qartë trajnerit se ai dështoi në kësi punësh dhe merkaton do ta bënte vetë presidenca, sipas dëshirave të skuadrës dhe brazilianit, ndërsa trajneri do të trajnonte ekipin dhe do ta kthente Tiranën fituese. Merkatoja e klubit solli futbollistët në ekip, sigurisht me pëlqimin e Ze Marias, i cili nuk refuzoi asnjërin prej atyre që ka sot në skuadër dhe që tani i snobon apo i kritikon në televizor. Trajneri, si mund të mbante në ekip futbollistë që nuk vlenin? Klubi tani ia kalon brazilianit topin, ndërsa Ze Maria ngre duart dhe thotë këta futbollistë kam. Shkurt, një dështim në menaxhimin e situatës klub-trajner.

KONTRATA – Një pikë shumë e diskutueshme e marrëdhënieve trajner-klub është edhe kontrata, e cila në njëfarë mënyre u mor me zor nga braziliani. Nëse Ze Maria ka kërkuar rritje rroge, klubi ka shpresuar në një sakrificë të trajnerit, duke pranuar edhe një reduktim page, gjë që nuk ndodhi dhe që realisht është një “çekan” mbi kokën e Ze Marias, i cili është trajneri më i paguar në Shqipëri dhe sigurisht nga ai priteshin gjëra të mëdha. Fundja, çfarë ka bërë 16 muaj në Shqipëri?

KONFLIKTUALITETI DHE XHELOZIA – Ka qenë e çuditshme, por që në nisje të aventurës së tij shqiptare, paçka se në Kategorinë e Parë, Ze Maria gjithmonë nuk ka dashur senatorët e skuadrës. Futbollistët e vjetër në ekip i ka sulmuar në mënyrë të heshtur dhe tani haptazi. E nisi me Turtullin, Dajën, Kërçikun, Likën, Dokën, Hoxhallarin dhe së fundmi me Karabecin. Shqiptarët kanë ndier presionin e tij dhe disa-ditës kanë kuptuar se Ze Maria mban krahun e të huajve, pasi Sentamu, Maveje, Atinga, Kobina e ndonjë tjetër kurrë nuk kritikohen. Shqiptarëve u vihet në dukje edhe një gabim, qoftë i vogël, ndërsa futbollistët e tjerë, vetëm ecin në fushë dhe janë të paprekshëm. Xhelozi dhe klane që nuk i bëjnë mirë ekipit. Këtë ka sjellë Ze Maria në skuadër.

PAQARTËSIA NË LOJË – Duke lënë pas gjendjen e ekipit, Ze Maria është i paqartë edhe në fushë. Është ndoshta trajneri i vetëm që bën gabime trashanike. Pothuajse gjithë sezonin që shkoi luajti 27 javë me 27 formacione të ndryshme. Këtë fat skuadra ka pasur edhe këtë sezon, por me një ndryshim të madh. Tani Ze Maria e ka humbur fare, pasi nuk mund të ndodhë ajo që bëri në Shkodër, ku në minutën e 46-të ndërroi tre lojtarë duke habitur “kuç e maç”. Për të mos folur ngjitje-zbritjet e lojtarëve në tribunë, apo goditjen e qendërmbrojtësit, kapitenit apo senatorëve të ekipit, që pas kësaj situate normalisht janë konfuzë.

PAQARTËSIA NË FILOZOFI – Trajneri është i paqartë edhe në idetë e tij. Në fillim tha se jemi për kampionë, më pas ndryshoi mendim, shkoi në Europë. Mungesën e golit e justifikoi me sulmuesin që nuk ka në skuadër. Për Ernest Muçin tha se është djalë i ri dhe nuk luan dot në Superiore, më pas e fut në lojë dhe djaloshi shënon gol, ndërsa Ze Maria premton se do të besojë te djem si ai. Dhe në fund “ajka” e deklaratave: “Pas kësaj ndeshjeje, luajnë më të mirët”. Po mirë, tre javë trajneri ka bërë ndere me fanellën e Tiranës, apo ka eksperimentuar? Çfarë bëri gjatë verës braziliani? Sigurisht, gjithmonë faji u mbetet lojtarëve… Klubi dhe trajneri nuk kanë asnjë faj, ndërsa që Tirana ka fituar më shumë një të katërtën e kampionateve në Shqipëri, prej dy sezonesh nuk fiton një ndeshje transferte në Superiore. Për të vënë kujën…

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"