Sëmundja e vjetër, një kampionat me… telekomandë. Tolerime e aleanca, ja “finalet” që vendosin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2018 | 21:35

Sëmundja e vjetër, një kampionat me… telekomandë. Tolerime e aleanca, ja “finalet” që vendosin

Një javë nga fundi i fazës së dytë, klubet e Kategorisë së Parë kanë nisur të bëjnë llogaritë. Për të dytin vit radhazi, në këtë kampionat aplikohet një skemë me tre faza ku e treta është një minikampionat më vete. Pesë të parat luftojnë për vendin e parë që të dërgon në Superiore, ndërsa pesë të dytat për t’i shpëtuar rënies.

Një skemë e aplikuar një vit më parë dhe e ngritur pikërisht me synimin për të eliminuar aleancat dhe ndeshjet e trukuara, që u bënë të përjavshme në kampionatet e fundit. Por, edhe pse një skemë e re ku synohej që të eliminoheshin sa më shumë tolerimet dhe aleancat, edhe kjo nuk ia doli. Madje, gjatë kampionatit të kaluar, në fazën e tretë pati vetëm pak ndeshje të vërteta dhe të luftuara, pasi të tjerat ishin të parashikuara ku dihej që një javë para se si do të përfundonin.

tirana-pogradeci-470x313

SËMUNDJA E VJETËR

Tolerimet e ndeshjeve në kampionatin e Kategorisë së Parë janë një prej fenomeneve më negative që ka kjo ligë, gjë që nuk e lejon që të ngjitet asnjëherë në nivel mesatar dhe diferenca me Superioren është e konsiderueshme. Përgjithësisht, klubet janë pronë e bashkive dhe për asnjë moment nuk shihen si mundësi biznesi apo që të gjenerojnë të ardhura. Ato konsiderohen si mundësi e mirë punësimi nga kryebashkiakët, ndërsa mjafton vetëm që ekipet të qëndrojnë në Kategorinë e Parë. Kjo neglizhencë e theksuar sjell edhe tolerimet e ndeshjeve me lehtësinë më të madhe. Mjafton një urdhër i thjeshtë që portat të hapen dhe ndeshjet të trukohen.

Madje, në këtë kategori nuk ka më asnjë lloj frike për dënim, pasi Federata ka treguar mungesë vullneti për të dënuar. Diferencat që krijohen mes dy ekipeve që luftojnë për vendin e parë dhe tre të tjerave që janë në grup, janë të konsiderueshme. Në këtë mënyrë, krijohen aleancat dhe lëvizin gurët. Skuadra më e fortë ia del që të zgjidhë edhe sfida të vështira. Një vit më parë, tolerimet u bënë gjë e zakonshme, thuajse çdo javë dhe denoncimet nga vetë aktorët ishin të përhershme. Por, nuk u mor asnjë masë. Dhe historia pritet të përsëritet sërish.

Ndërkaq, këtë fundjavë priten përballje të forta në pak stadiume. Besëlidhja-Dinamo është një “finale” që do luhet në Lezhë, ku do përcaktohet ekipi i fundit i 5-shes së parë. Nga përballja mes tyre do të kërkojë të përfitojë Korabi, i cili do të luajë në transfertën e Kavajës. Ndërsa në Grupin B, Tomorit i bën punë vetëm fitorja ndaj Ilirisë për të siguruar 5-shen e parë. Ndërsa, Shënkolli ka shumë pak shanse, pasi do të luajë ndaj Tiranës në kryeqytet, një përballje shumë e fortë për ta. Ndërsa, në takimet e tjera nuk priten surpriza.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"