Selmani: Në Qipro na dënoi arbitri, të enjten ia dalim me tifozët
Kapiteni i Laçit, Gentian Selmani, beson se me pak fat skuadra bardhezi do të arrijë të kalojë turin e parë të Ligës së Europës. Të enjten në orën 17:00, në stadiumin e Laçit, ekipi i drejtuar nga Besnik Prenga luan ndeshjen e kthimit ndaj qipriotëve të Anorthosis.
Dje në një intervistë për “Panorama Sport”, portieri Selmani u bëri thirrje tifozëve që të mbështetësin Laçin, pasi nuk kanë për t’u zhgënjyer. 20- vjeçari që është pjesë e Kombëtares Shpresa thekson se në takimin e parë në Larnaka, ndeshja u vendos prej një gabimi të gjyqtarit. Sipas Selmanit, Laçi do japë më shumë se 100 % dhe nuk i druhet Anorthosis.
Genti, a mund të bënit më mirë në ndeshjen e parë apo aq ishte maksimumi i Laçit?
Për hir të së vërtetës, në ndeshjen e parë i patëm mundësitë që edhe ta ruanim rezultatin, por në pjesën e dytë arbitri akordoi një penallti inekzistente. Pas barazimit, aty kundërshtari mori më shumë zemër dhe arriti të na shënonte edhe golin e dytë.
Çfarë prisni nga takimi i së enjtes?
Shanse për kualifikim mendoj se kemi, sepse ne besojmë dhe mbi të gjitha po punojmë që ta përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë. Duhet të bëjmë një ndeshje perfekte, që të kualifikohemi. Personalisht kam besim te kalimi i turit, edhe pse Anorthosis është shumë i fortë.
Me një stadium të tejmbushur, a do të jetë më e lehtë për ju?
Meqë më jepet rasti, u bëj thirrje të gjithë tifozëve që të jenë të pranishëm në stadium të enjten, për të na mbështetur. Shpresoj të jenë sa më të shumtë në numër dhe një ogur i mirë për ne sa i përket kualifikimit të mundshëm. Ne në fushë do të japim 100 % për t’i kënaqur tifozët. Jam i bindur se nuk do t’i zhgënjejmë.
Ka diçka që i druheni në prag të kësaj ndeshjeje?
Asgjë nuk i trembemi. Ne si lojtarë kemi për detyrë që të jemi të gjithë 100 % gati për të dhënë maksimumin në fushë. Mendoj se me pak fat, do të bëjmë shumë mirë në këtë ndeshje delikate.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"