Seleksionime nëpër Europë, trajnerët e Kombëtareve tur për talente

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2019 | 17:50

Seleksionime nëpër Europë, trajnerët e Kombëtareve tur për talente

Kjo javë është e përqendruar në kërkimin e elementëve të rinj për vazhdimësinë në ekipet kombëtare. FSHF ka bërë me dije edhe axhendën që është ndjekur dhe do të ndiqet për vëzhgimin e fëmijëve dhe futbollistëve të talentuar nëpër të gjithë Europën. 

Seleksionimet

Sektori i ekipeve kombëtare pranë FSHF-së ka vijuar me seleksionimet jashtë vendit për ekipet përfaqësuese të Shqipërisë. Ky tur përzgjedhës nisi nga qyteti i Milanos, ku kanë marrë pjesë 110 fëmijë të datëlindjeve 2004, 2005, 2006 dhe 2007. Talentet e rinj do të jenë në vëmendjen e FSHFsë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në kryeqendrat evropiane. Më tej, grupi i punës ka vijuar në vëzhgimet në Romë.

Gjithashtu, programi ka në plan seleksionime në të tjera qytete evropiane, me qendra ku ka përqendrim të lartë të shqiptarëve. Në 26 nëntor puna ka vijuar në Romë. Dje dhe sot, grupi i punës është zhvendosur në Athinë me vendtakim në Qendrën sportive “Pao Ruf Petrou Ralli 58 & Pireos” të Athinës në orën 09:00. Në muajin dhjetor, puna e trajnerëve të ekipeve përfaqësuese do të vijojë në të tjerë shtete.

Në Gjermani dhe Danimarkë seleksionimet do të kryhen me datëlindjet 2002, 2003, 2004, 2005 dhe 2006. Në 14 dhjetor 2019 puna do të përqendrohet në Frankfurt, në orën 10:00, me pikëtakim vendin në “Heinrich-Graf-Sportanlage, Am Sportfeld 16, 65760 Eschborn”. Një ditë më vonë, më 15 dhjetor 2019 në Kopenhagen, ora 12:00, në “Herlev stadion Tvedvangen 200, 2730 Herlev”. Krahas kësaj axhende, FSHF ka njoftuar se në këtë proces do të jenë të angazhuar të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"