Sefgjinaj emigron në Angli dhe lë futbollin, Mëziu “zbërthen” merkaton e Korabit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2022 | 13:10

Sefgjinaj emigron në Angli dhe lë futbollin, Mëziu “zbërthen” merkaton e Korabit

Donald Mëziu “zbërthen” Korabin. Merkatoja është në kulmin e saj dhe drejtuesit po bëjnë çmos që të ndërtojnë një ekip që të përballojë me sukses garën. Edhe pse ka pasur hyrje-dalje, skuadra po merr formë dita-ditës. Këtë e thotë drejtori teknik, i cili njëherësh mban edhe postin e zv.trajnerit. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai jep detaje për çdo lojtar që është larguar nga sezoni i fundit, por edhe planin e përforcimeve.

293160792_449026050566364_3688666316955615272_n

Si po shkojnë përgatitjet për Korabin?
Korabi vazhdon përgatitjet intensive. Skuadra është duke marrë formë. Nëse javën e parë u përqendruam te seleksionimet, e dyta është më e qetë.

Ka pasur largime nga sezoni i shkuar, mund të na thoni kush ka “mbijetuar” te dibranët?
Grupit i janë bashkuar këto ditë lojtarët që kemi pasur kontratë dhe këtu po përmend emra si Qyrani, Mehidri, Joti, S.Mziu dhe V.Mziu, Marku, Qato dhe Vezi. Jo më larg se dy ditë më parë na është bashkuar ardhur edhe Paplekaj. Ai ka rinovuar tashmë dhe zyrtarisht mbetet pjesë e jonë.

Kemi parë që ka edhe prurje nga merkatoja…
Nga prurjet e reja bien në sy qendërmbrojtësi Klevis Lushaku që luante te Vora, Irgi Kasalla që vjen nga Laçi apo Hasa nga Dinamoja. Prioritet po u jepet edhe rinjve me origjinë dibrane si Tanushi, Buci, Fida dhe Lala që kanë qenë pjesë e Akademisë së Futbollit dhe Shkëndijës së Tiranës.

A do të ketë përforcime “big”?
Patjetër që po. I kemi planet të qarta. Skuadra është në tratativa me tre lojtarë të konfirmuar tashmë, që do na bëjnë vërtet punë. Nëse me emrat nuk mund të flas, mund të saktësoj se bëhet fjalë për sulmues krahu, një mbrojtës të djathtë dhe qendërmbrojtës. Nëse gjithçka shkon sipas planit, ata do të prezantohen këtë javë. Deri në fund të muajit Korabi do t’i ketë mbyllur llogaritë me merkaton. Këtë synojmë, që të kompletohemi dhe nisemi të qetë drejt fazës përgatitore.

Nga grupi që mbylli sezonin ka mungesa të mëdha, çfarë ka ndodhur me ta?
OK, po i shpjegoj me radhë. Taulant Sefgjinaj ka ikur në Angli me familjen. E ka mbyllur me sportin. Sergerso Gecin dhe Nikolin Dukën i kemi transferuar te Laçi, por kemi ruajtur përqindje kartoni. E njëjta gjë vlen edhe për Armend Murrjen, që ka shkuar te Turbina. Taulant Markun e dini tashmë që firmosur kontratë me Dinamon, ndërsa Xhynejt Çutra ka përfunduar kontratën dhe nuk rinovuam. Ylber Muça është lojtar i lirë, që në prill s’kemi kontakte me të. E kemi larguar për arsye disiplinore. Amer Duka gjithashtu ka përfunduar kontratën, po nuk i ofruam zgjatje. Erjon Dragoj pastaj, është akoma i pavendosur. Është kjo e gjithë “panorama”.

FATMIR ZHUZHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"