Seferi-Muçi/ Tirana, goli është çështje… biondësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2021 | 21:19

Seferi-Muçi/ Tirana, goli është çështje… biondësh

Kampionët në fuqi janë në kërkim të golit. Vetëm 12 të shënuar në 13 javë të zhvilluara, janë shumë pak për një Tiranë që në objektivat e saj ka të caktuar mbrojtjen e titullit kampion. Thënë shkurt, për trajnerin Dede, gjetja e golit është një çështje për t’u zgjidhur. E duke parë përforcimin e goditur të Seferit, një futbollist me talent, potencial dhe me CV të pasur duke shtuar edhe paraqitjet në Kombëtare, si dhe bagazhin e Ernest Muçit, atëherë shënimi te bardheblutë bëhet një çështje… biondësh. Sigurisht, për nga ngjyra e flokëve…

sefeeri

SEFERI, PËR FORMËN

Taulant Seferi nuk ka marrë minuta te Jang Bojs, të cilët ruajtën në memorie respektin e bardhebluve në përballjen europiane dhe pranuan huazimin e sulmuesit nga Kumanova te kampionët e Shqipërisë. 24- vjeçari është në kërkim të minutave dhe të formës së tij ideale. Dhjetë gola të shënuar me Uinterthurin në gjysmë sezoni në ligën e dytë helvete, janë piedestali për t’u synuar nga Seferi. Qëllimi është… me qitje të largët: Së pari, djaloshi synon të futet në ritmin e tij ideal. Së dyti, duke qenë siç duhet në udhëheqje të kryeqytetasve, jo vetëm do të shpërblente këta të fundit për besimin dhe arritjen e objektivave, por edhe do të rifitonte besimin e Jang Bojs.

Së treti, Reja ka thënë shpesh që i ka sytë edhe nga Superiorja, ndaj një shpërthim me kampionët do ta konfirmonte pjesëmarrjen në listat e Kombëtares. Së fundmi, pse jo, me kombinimet e duhura me Muçin ftesa mund të ishte “çift”, për të dy që nga marsi e në vazhdim. Për supersticiozët, në flokë është biond, ngjyrë e përngjashme me gjysmën e emblemës bardheblu…

muci

MUÇI, PËR KONTRATËN

Shkëndijat i dha në sezonin e titullit. Ecuri fantastike. Shifra dhe gola impresionues. Madje, edhe me flokët biondë si për të festuar atë që do të vinte: titullin e munguar te Tirana. Ernest Muçi është koha që të arrijë “ashensorin” e karrierës së tij. E nëse deri më tani, trokitjet te kryeqytetasit nuk kanë munguar, talenti bardheblu kërkon “bumin e madh”.

Gola, formë ideale me paraqitje pozitive dhe asiste. Kështu do binte poshtë çdo skepticizëm dhe gjigantët evropianë do të hapnin thesin për klubin, duke i vënë 19- vjeçarit kontratën e jetës në tavolinë. Nëse Kombëtarja mbetet një synim për talentin, atëherë mund të jetë shenjë e fatit që ka ardhur pikërisht Seferi që ta marrë atje…

skedat

TIRANA, PËR OBJEKTIVA

Nëse gjithçka e thënë më lart realizohet, kampionët do të shndërroheshin të frikshëm në sulm, me një binom “biondësh” që udhëheq skuadrën me gola drejt realizimit të objektivave. Prapavija është premtuese, po rikthehet Çelhaka, Kale po rikuperohet, Torasa është gati për sprintin final dhe Batha & Co për të bërë një grup… unik.

OLSI TUJANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"