Sefedin Braho analizon Luftëtarin: Kthesa pas fitores me Tiranën, Shkurtaj i duhet në sulm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2018 | 17:18

Sefedin Braho analizon Luftëtarin: Kthesa pas fitores me Tiranën, Shkurtaj i duhet në sulm

Sefedin Braho nuk e llogarit mbijetesën e Luftëtarit. Sipas “Mjeshtrit të Merituar të Sportit”, fitorja e fundit ndaj Tiranës ishte jetike për gjirokastritët. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai analizon 13 javët e para të skuadrës dhe komenton zërat që çojnë Vasil Shkurtajn drejt Partizanit në merkaton e janarit.

Sefedin Braho

Luftëtari fitoi ndaj Tiranës, sa vlerë ka ky trepikësh për të ardhmen e ekipit?

Edhe pse kanë kaluar pak ditë nga fitorja 2-1 me Tiranën, emocionet janë të mëdha. Ky trepikësh na kanë bërë më shumë optimist për vazhdimësinë. Në Vlorë ekipi luajti mirë dhe mori një pikë të çmuar. Por, fitorja ndaj Tiranës do të jetë një shtysë për të synuar më shumë në ndeshjet pasardhëse. Tirana tradicionalisht, pavarësisht dy-tre sezoneve të fundit, ka qenë “kockë e fortë” dhe nuk është ka qenë e lehtë që ta përmbysësh. Këtë gjë e bënë lojtarët e Luftëtarit nën drejtimin e Mezanit. Çelësi i suksesit në ndeshjen me Tiranën ishte guximi i trajnerit, duke i besuar sulmuesit Dunga.

Po, a mund të fitohet një ndeshje nga një lojtar i vetëm?

Nuk desha të them këtë, por sulmuesi Dunga në tri mundësitë e dhëna, një e shfrytëzoi më së miri. Për lojën dhe rezultatin 2-1 me Tiranën, meritë kanë të gjithë futbollistët, pasi treguan në fushë shpirt gare dhe sakrifice deri në fund të ndeshjes. Luftëtari me rikthimin e lojtarëve si Rroca, Aleksi do të ketë tjetër fytyrë në të ardhmen. Futbolli është lojë kolektive dhe si i tillë duhet parë përballë çdo kundërshtari sado i fortë të jetë.

Teuta është kundërshtari i radhës për Luftëtarin. Mendoni se do dalin me pikë edhe nga transferta në “Niko Dovana”?

Me Teutën fituam ndeshjen e parë, këtu në Gjirokastër, por kjo s’do të thotë se ndeshja në Durrës do të jetë e lehtë. Përkundrazi, Luftëtarin e pret një duel më shumë se i vështirë. Ka disa javë që Teuta nuk njeh rezultat negativ dhe shkalla e vështirësisë për një rezultat pozitiv, është e lartë. Sipas opinionit tim, Luftëtari nuk duhet të bëjë aventurë të sulmojë që nga fillimi, po të kemi parasysh cilësitë e Teutës në mbrojtje. Mezani është njohës i mirë i mentalitetit të futbollit vendës dhe e di mirë sesi do të përballet me Teutën. Në fushë luhen të tria rezultatet e mundshme dhe për Luftëtarin çdo rezultat tjetër veç humbjes, do të ishte i kënaqshëm.

Me gjendjen aktuale që Luftëtari ka në klasifikim, e shihni të rrezikuar në fund të garës?

Fitorja me Tiranën i dha tjetër rrjedhë misionit mbijetesë. Tashmë gjërat kanë shkuar për mirë. Ka më shumë besim dhe optimizëm jo vetëm mes lojtarëve dhe drejtuesve, por dhe në masën e gjerë të njerëzve. Javët e fundit Luftëtari ka treguar forcë dhe pjekuri në lojë, kështu që nuk e shoh të rrezikuar skuadrën. Megjithatë, fitorja me Tiranën nuk mund të josh asnjë, përderisa pikët e grumbulluara në 13 javët e luajtura kanë diferenca të vogla me ndjekësit e fundit në tabelë.

Partizani po tenton që të marrë Vasil Shkurtaj në merkaton e janarit. Cili është opinioni juaj lidhur me këto zëra merkatoje?

Shkurtaj është sulmues me potencial. Ka shënuar gjashtë gola në këto 13 javë dhe si i tillë ka peshë në formacionin e Luftëtarit. Nëse do të largohet ose jo këtë s’mund ta them. Ai (Shkurtaj) dhe drejtuesit bashkë me presidentin në krye e dinë vetë sesi do të veprojnë. Në ekonominë e tregut, pjesë e të cilit është dhe futbolli kurrë s’mund të thuash kurrë. Jam bindur se Shkurtaj dhe drejtuesit do të bëjnë zgjedhjen e duhur në janar. Nga ana tjetër, mendoj se Partizani ka lojtarë cilësorë në sulm dhe s’më takon mua të them nëse i bën ose jo punë Shkurtaj. Vasili është lojtar profesionist dhe me shërbimet e tij Luftëtari ka arsye më shumë për të qenë më shumë produktiv në sulm.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"