Sefa sfidon Flamurtarin: Të shfrytëzojmë lodhjen e tyre, nuk janë ndonjë ekip special

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2017 | 10:15

Sefa sfidon Flamurtarin: Të shfrytëzojmë lodhjen e tyre, nuk janë ndonjë ekip special

Ecuria pozitive e Flamurtarit duket se motivon më shumë Lushnjën për të bërë më të mirën dhe për të ndalur vlonjatët. Verdhejeshilët janë përgatitur gjatë këtyre ditëve për të bërë maksimumin në fushën e lojës dhe publiku vendës i ka sytë nga kapiteni 33-vjeçar, Sefa. Me dy golat e shënuar në këtë kampionat, veterani i sulmit është rreziku kryesor për mbrojtjen e Flamurtarit. Ai i vlerëson shumë kuqezinjtë, por thotë se Lushnja do të luajë për të marrë pikë në këtë ndeshje.

sefa1

“Pavarësisht se luajmë me një skuadër që ka një kohë të gjatë që nuk humbet, kjo nuk e bën ndonjë ekip special. Flamurtari është si të gjithë të tjerët. Do të shfrytëzojmë lodhjen e tyre. Dua të theksoj se po nuk vrapuam në fushë, do ta kemi shumë të vështirë. Kundërshtari është ekip cilësor, por jo më i mirë se ne. Kemi forcën e grupit, që është sekreti i këtij ekipi.

Ideja tjetër është se nuk duhet të trembemi nga Flamurtari. Emrin e ka të madh, por lojtarët janë të barabartë në fushë. Gjendja jonë është optimale duke pasur parasysh 2-3 mungesa të vogla, por me rikuperime të shpejta. Fakti që jemi stërvitur brenda në fushën e stadiumit, na ka dhënë përkrahje të madhe për të bërë një përgatitje të denjë për të dielën”, është shprehur futbollisti me shiritin në krah, në stadiumin “Roza Haxhiu”.

Kapiteni i lushnjarëve kërkon sa më shumë tifozë në stadium dhe “sponsorizon” një pasdite triumfi të së dielës. “Ky futboll është për publikun. Futbolli verdhejeshil bëhet i bukur, kur bëhen bashkë çunat e Lushnjës në fushë dhe tifozët e mrekullueshëm lushnjarë në shkallë. Shpresojmë të na mbështesin me koret e tyre, siç na kanë mbështetur ata pak tifozë që na kanë ardhur, por që këtë ndeshje me Flamurtarin do të jenë më të shumtë.

Normalisht që tifozët tanë duhet të jenë prezentë në ndeshjet e kampionatit, të kupës, në ndeshjet miqësore. Unë besoj se do të na mbështesim shumë ditën e diel që ne të arrijmë rezultatin dhe të shtojmë shpresat për mbijetesë”, është shprehur kapiteni i lushnjarëve, Fatjon Sefa.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"