Sefa nuk tërhiqet: Lushnja pa zot, luaj derisa të më mbajnë gjunjët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2018 | 22:12

Sefa nuk tërhiqet: Lushnja pa zot, luaj derisa të më mbajnë gjunjët

Kapiteni i Lushnjës, Fatjon Sefa, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, thotë se të gjithë duhet të jenë realistë për rënien e skuadrës në Kategorinë e Parë. Lushnjarët ranë praktikisht nga elita me përfundimin e dy fazave të para, ndërsa matematikisht, shtatë javë para përfundimit. Kapiteni Sefa ishte i vetmi futbollist që bënte dallimin te Lushnja. Sulmuesi lushnjar shënoi 10 gola, duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës verdhejeshile.

Sefa

SEFA

“Kampionati u mbyll. Na vjen keq për rënien nga Superiorja. Të gjithë duhet të jemi realistë. Kjo ishte gjendja e Lushnjës që në fillim. Shpresojmë që Lushnja të ringjitet dhe me një synim tjetër, me bashkëpunimin e të gjithëve. Të jetë dëshira më e madhe për të kontribuar për ekipin. Ekipi ishte pa zot, arbitrat kanë qenë kundër Lushnjës gjatë të gjithë kampionatit. Edhe pse mbështetja e bashkisë ka qenë 100% dhe korrekte, fondi është i pamjaftueshëm për një ekip të Superiores.

Unë jam shprehur edhe herë të tjera për gazetën tuaj, që do të luaj vetëm për Lushnjën derisa të më lënë gjunjët. Është një vendim i mi, që do të luajë futboll vetëm për ekipin e Lushnjës”, deklaroi kapiteni Sefa. Sulmuesi i lushnjarëve mbylli sezonin e tretë radhazi në stadiumin “Roza Haxhiu”. Që pas ardhjes nga Skënderbeu, Sefa është shprehur se do të luajë vetëm për ekipin e vendlindjes. Sulmuesi shënoi golin e fundit për skuadrën verdhejeshile në Superiore për këtë sezon. Ai realizoi nga pika e penalltisë në humbjen 1-2 ndaj Luftëtarit, në ndeshjen e luajtur të mërkurën në “Roza Haxhiu”.

LARGIMET

Pas Gavës, Maganit dhe Byzhytit është edhe “veterani” Agim Meto, që deklaron për “Panorama Sport” se nuk do të jetë pjesë e Lushnjës për sezonin e ardhshëm. “Unë nuk do të jem më pjesë e Lushnjës. Me mbylljen e sezonit kam vendosur të largohem. Falënderoj tifozët dhe klubin për një vit që kaluam bashkë”, deklaroi Meto, i cili ndeshjen e fundit me Luftë- tarin e ndoqi nga tribuna VIP e stadiumit “Roza Haxhiu”.

SHIFRAT

11 pikë, në 36 javë! Ky ishte sezoni më i dobët i Lushnjës në Superiore. Skuadra verdhejeshile mori vetëm një pikë në pjesën e dytë të sezonit. Në 18 ndeshje të fazës së tretë dhe të katërt, lushnjarët arritën vetëm një barazim me Partizanin, duke humbur 17 takimet e tjera. Dukshëm dhe pas asnjë kompleks, Lushnja ishte shumë larg nivelit të Superiores. Tashmë do të pritet gjatë ditëve në vazhdim për të parë se çfarë do të synojnë drejtuesit në merkaton e verës dhe a do të ndërtohet sërish një ekip pretendent, që të luftojë për ngjitjen në elitë.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"