Sefa mungon gjatë, ja kur pritet të rikthehet Pepa te Lushnja

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 17:37

Kategoria e pare Lushnja Të fundit

Sefa mungon gjatë, ja kur pritet të rikthehet Pepa te Lushnja

Lushnja po vuan prej disa javësh mung esën e kapitenit Fatjon Sefa, i dëmtuar që në humbjen me Devollin. Një dëmtim që duket se do ta mbajë veteranin e sulmit verdhejeshil për një kohë të gjatë jashtë fushe. 

lushnja

Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi kampion flet për dëmtimin dhe për ecurinë e ekipit në këto javë, ku ai e ka ndjekur nga jashtë. “Dëmtimi është serioz. Kam këputur ligamentin dhe duhet të bëj një ndërhyrje. Po shikoj për datën dhe shumë shpejt do t’i nënshtrohem operacionit, kështu që duhet një kohë e gjatë që të kthehem.

Për sa i përket ekipit, kam disa javë që i shikoj nga afër stolit dhe, me thënë të drejtën, më hanë këmbët për të kontribuuar në fushë. Kam rezerva për shokët, për të vetmin fakt që tolerojnë shumë në momente të caktuara. Kanë bërë lojëra shumë të bukura, por kjo nuk do të thotë të lëshosh terren ndaj kundërshtarit. Përkundrazi, duhet të shtrëngohesh edhe më shumë. Ndeshjet sa vijnë dhe bëhen më të forta, prandaj duhet më shumë përqendrim dhe grintë gjatë gjithë kohës.

Jam i lumtur për pjesën ofensive, sepse nuk po ndihet mungesa ime. Shpresoj që të vazhdojmë kështu, por, siç e përmenda më lart, pa mendjemadhësi dhe pa lëshuar aspak. Të vazhdojmë me më shumë grintë dhe sakrificë”, deklaroi për gazetën kapiteni Sefa, duke qenë në një linjë me trajnerin Ilir Gjyla, i cili shpesh javët e fundit ka folur për mendjemadhësi të skuadrës pasi kalon në avantazh. Një fenomen që stafi lushnjar kërkon ta luftojë me çdo mënyrë, pasi e dëmton skuadrën, siç ndodhi me Pogradecin, ku pësoi humbjen e parë në “Roza Haxhiu”.

PEPA – Sulmuesi lushnjar, Brunid Pepa, momentalisht është pa skuadër. Sulmuesi 29-vjeçar e ka ndjekur rregullisht skuadrën e qytetit të tij, gjithnjë prezent në tribunën qendrore. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, ai ka pohuar se do të stërvitet me Lushnjën aktualisht.

“Do të stërvitem me Lushnjën. E kam parë nga tribuna dhe ndihem mirë për skuadrën e qytetit tim, që është më e mira në Kategorinë e Parë, që kryeson me meritë grupin dhe është pretendente kryesore për ngjitjen në Superiore. Do t’i bashkohem Lushnjës në stërvitje dhe kuptohet se qëllimi është që në janar të jem pjesë e saj”, është shprehur Pepa, i cili ka luajtur edhe më parë te Lushnja, në Kategorinë e Parë dhe në Superiore. Pepa ka luajtur gjithashtu edhe për Teutën, Flamurtarin, Vllazninë, Bylisin, Kastriotin dhe Gjilanin.

ALBAN ALUSHI




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com