“S’e them dot që Kupa është shpëtim”, Shehi para ndeshjes me Teutën: Duhet kujdes sot, nuk do heqim dorë nga titulli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2020 | 10:25

“S’e them dot që Kupa është shpëtim”, Shehi para ndeshjes me Teutën: Duhet kujdes sot, nuk do heqim dorë nga titulli

Kukësi do të presë Teutën sot, në një ndeshje e cila do të luhet në “Elbasan Arena”. Verilindorët kanë gjithçka gati për këtë 90- minutësh, i cili duhet fituar me çdo kusht. E megjithatë, Orges Shehi e ka marrë shtruar dhe me të drejtë, pasi kualifikimi përcaktohet vetëm në aktin e dytë. Gjatë daljes së tij për mediat, trajneri e tha troç që ai kërkon të marrë maksimumin e mundshëm nga çdo ndeshje që ka mbetur nga ky edicion dhe përjashtim nuk do të bëjnë durrsakët. E vlerëson kundërshtarin për atë çka ka bërë në javët e fundit, por sërish e sheh të kalueshëm.Shehi5

Do të diskutoni gjysmëfinalen me Teutën. Si e shikoni këtë përballje të parë?

Është ndeshje e rëndësishme, e cila luhet për llogari të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë. Përballë do të jenë dy ekipe që janë në pjesën e sipërme të klasifikimit dhe mbi të gjitha me ambicie. Kundërshtari po bën mirë kohët e fundit dhe ky është një fakt që nuk duhet anashkaluar. Është një sfidë me rëndësi për ne. Mendoj se e kemi përgatitur në mënyrën e duhur, duke ditur dhe duke pasur parasysh, që nuk mbaron nesër (sot), por ka dhe ndeshje kthimi.

Është më e rëndësishme të shënosh apo të mos pësosh në këtë takim të parë?

Unë mendoj se nesër (sot) është e rëndësishme të jesh i kujdesshëm dhe i ekuilibruar. E theksova edhe më lart, asgjë nuk mbaron pas këtij 90-minutëshi. Llogaritë do të bëhen në ndeshjen e kthimit. Janë të rëndësishme të dyja fazat.ORGES SHEHI

Si është gjendja fizike e skuadrës?

Kemi vështirësi, luajmë çdo 3 ditë. Skuadra ka ngarkesë. Kemi menduar të hedhim të njëjtin kontingjent, me 2-3 ndryshime, për t’iu përgjigjur të dy trofeve, si Kupës dhe kampionatit. Këto ditë jemi munduar ta freskojmë skuadrën për ndeshjen e nesërme.

A është Kupa e Shqipërisë shpëtimi i këtij sezoni te Kukësi?

Jam teknik dhe tekniku ka për detyrë të fitojë çdo ndeshje, të përgatisim skuadrën për të fituar çdo ndeshje. Unë nuk jam zyrtar klubi që të them është shpëtim i sezonit apo jo. Tekniku flet për ndeshjen dhe anën teknike. Është një trofe i rëndësishëm për ne. Do t’i luftojmë të dyja, derisa mundësitë matematikore të na i lejojnë.

S.Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"