“S’e pranoj dot që kemi 8 pikë”, Bizhdili “ngrin” rrogat: Nëse bëjnë tre fitore, do jap pagën e tetorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2019 | 11:25

“S’e pranoj dot që kemi 8 pikë”, Bizhdili “ngrin” rrogat: Nëse bëjnë tre fitore, do jap pagën e tetorit

Nexhat Bizhdili “ngrin” rrogat e Besës. Nëse një javë më parë thjesht i paralajmëroi, në stërvitjen e djeshme ua ka komunikuar zyrtarisht vendimin e tij lojtarëve dhe stafit teknik. Nëse kavajasit nuk reagojnë, do ta kenë të pamundur që të marrin rrogën e tetorit. Kushti është i qartë, duhet të marrin 9 pikë të plota nga tri ndeshjet e radhës. 

bizhdili magani

Duket se presidenti është lodhur me ecurinë dhe rezultatet negative, ndaj edhe ka shkuar drejt kësaj mase drastike. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ai saktëson se do fitore ndaj Devollit, Orikumit dhe Elbasanit.

“Futbolli tani luhet për komercializëm dhe lojtarët janë profesionistë që punojnë e paguhen. Ata bëjnë punën e tyre dhe ne presidentët tonën. Nuk e kam pranuar dhe as e pranoj dot që ekipi im të marrë 8 pikë nga 24 të mundshme ose 33% të pikëve. Do të ishte normale të merrnin edhe 50% të pagës për aq sa kanë bërë. Me këtë nuk prisja 24 pikë, por të paktën minimumi 16-18 pikë. Lojtarët jo vetëm që nuk kanë reaguar pas çdo humbjeje, por fatkeqësisht kanë vijuar të humbasin, siç ndodhi në Pogradec. Në këto kushte kam vendosur të ‘ngrij’ pagat e muajit tetor, si shenjë ndëshkimi për këto paraqitje. Kur them ‘ngrirë’, do të thotë se nëse arrijnë objektivin që u kam vënë, aty i kanë pagat, do t’i marrin. Kemi për të luajtur 3 ndeshje rresht, 2 në shtëpi me Devollin e Orikumin dhe 1 në transfertë me Elbasanin, vendin e fundit. Nëse i fitojnë, atëherë mund të ‘shkrij’ pagesat e tetorit. Secili të bëjë punën e tij aq sa mundet e unë besoj se ata munden”, përfundoi Bizhdili.

besa

Shpenzimet mujore për presidencën dhe bashkinë shkojnë në afro 25 milionë lekë të vjetër. Dhe këtu nuk përfshihen vetëm rrogat, por edhe akomodimi i jabanxhinjve apo trajtimi ushqimor.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"