“S’do të ketë asgjë të lehtë këtë vit”, mbrojtësi i Vllaznisë premton: Nuk gabojmë më në kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2022 | 21:14

“S’do të ketë asgjë të lehtë këtë vit”, mbrojtësi i Vllaznisë premton: Nuk gabojmë më në kampionat

Në Shkodër janë të ndërgjegjshëm se pas dy humbjeve me Erzenin dhe Egnatian në startin e këtij sezoni, duhet t’i bëjnë mirë llogaritë për vazhdimësinë. Fitorja e vuajtur me Kastriotin i mundësoi skuadrës të vijojë punën e qetë, teksa tashmë e pret takimi i Kupës së Shqipërisë, ndërsa të hënën Vllaznia udhëton drejt Vlorës. Mbrojtësi i majtë, Esin Hakaj, një prej më të mirëve në takimin me krutanët, në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon për ecurinë e ekipit dhe komenton vazhdimësinë, duke theksuar se po luhet një kampionat pa diferenca.

HAKAJ 1

Esin, shënuat shpejt ndaj Kastriotit, por vuajtët për të mbajtur avantazhin deri në fund…

Nuk ka më takime të lehta dhe këtë e tregoi edhe përballja ndaj Kastriotit. Pas atij goli të shpejtë, të gjithë menduam se do ta kemi më të thjesht për të shënuar të dytin. Megjithatë, nuk ndodhi kështu, kjo edhe falë paraqitjes së mirë të Kastriotit. Mendoj se ishte një fitore e merituar dhe në asnjë moment e vënë në dyshim, pavarësisht se nuk treguam më të mirën tonë. Nuk mendoj se e rrezikuam rezultatin të cilin e vendosëm që në minutën e parë.

Megjithatë, loja nuk ishte ajo që tifozët presin apo jo?

Ndoshta nuk ishte ajo që të gjithë prisnin, por mendoj se ne bëmë një lojë racionale. Nisur edhe nga rastet që u paraqiten, them se mund të shënonim sërish. Por, duhet të kuptojmë që as kundërshtari nuk ishte i lehtë. Duke kërkuar që të ruajmë rezultatin me çdo kusht dhe të merrnim tri pikët në këtë ndeshje, nuk bëmë atë lojë që të gjithë shpresonin. Në këtë moment rëndësi kanë pikët maksimale, sepse ato llogariten në fund.

Sa do të ndikojë kjo ndërprerje për Vllazninë?

Mendoj se do të na ndikoj për mirë për të rregulluar dhe korrigjuar aty ku kemi pasur probleme. Duhet që të punojmë për të përmirësuar pikat tona të dobëta. Kjo periudhë do të vlej edhe për lojtarët e dëmtuar. Në këtë start kampionati, dëmtimet, por edhe kartonët nuk na lanë në asnjë moment të qetë. Asnjëherë s’kemi qenë të plotë, kështu që rëndësi ka të rikuperohen lojtarët e dëmtuar.

Çfarë duhet të korrigjoni më shumë në vazhdimësinë e kampionatit?

Trajneri e di më mirë se ku ne kemi gabuar. Të gjithë pa përjashtim kemi nevojë për korrigjime, por edhe si skuadër në tërësi. Nuk ka asnjë dyshim që duhet të fokusohemi në punën tonë, në mënyrë që të jemi sa më të plotë.

Më 26 shtator ju pret ndeshja në Kupë ndaj Flamurtarit. Si e shikoni?

E thashë, nuk ka ndeshje të lehta. Pavarësisht vlerësimit që do t’i bëja kundërshtarit, serish do të thoja që ne do të shkojmë për të bërë një hap drejt kualifikimit në Vlorë. Por, gjithmonë duke shkuar me kokën ulur dhe larg euforisë.

Në kampionat do të luani ndaj Teutës në Durrës, një kundërshtar që po kalon një moment jo të mirë…

Teuta nuk po kalon momente të mira, por kjo ndërprerje i erdhi në ndihmë ekipit durrsak dhe trajnerit të ri të saj, ashtu si edhe ne. E thashë, që në këto 5 javë nuk ka pasur emra të mëdhenj dhe të vegjël apo skuadra me shumë diferenca, ku mund të thuash që ke fitore të sigurta. Ne duhet që të hënën të bëjmë mirë punën tonë në Vlorë dhe më pas të kërkojmë maksimumin në Durrës.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"