Sasuolo zhyt Interin në krizë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2015 | 9:16

Sasuolo zhyt Interin në krizë

Parma-InterInteri po shkon keq e më keq. Sasuolo, e cila në tri ndeshjet e fundit me zikaltrit kishte pësuar 15 gola pa shënuar dot asnjë, fitoi bindshëm përballë skuadrës së Mançinit. Ashtu si në takimet kundër Empolit dhe Torinos, milanezët luajtën pa grintë, ritëm, kthjelltë- si dhe organizim. Sasuolo falënderon dhe parakalon në klasifikim rivalin e lavdishëm, i cili, duke u marrë me vendin e tretë dhe merkaton, po rrezikon që të humbë dinjitetin. Edhe pse krahasimet në këtë pikë nuk kanë vend, Interi i Mançinit po ecën më ngadalë se sa ai i Maxarrit. Ndërkohë dje, si për ironi, zikaltrit luajtën më mirë kur Manço vendosi që t’i rreshtonte me modulin e paraardhësit të vet.
Vdekjeprurës – Euzebio Di Françesko zëvendësoi Açerbin e pezulluar me Terranovën. Ndërkohë që në sulm hodhi tredhëmbëshin “vdekjeprurës” të formuar prej Berardit, Zazës dhe Sansone. Nga ana tjetër, Mançini si mbrojtës të djathtë preferoi Donkorin përballë Obit, ndërsa në sulm Ikardi ia la vendin Palasios. Starti i këtij takimi “gënjeu” milanezët prezent në “Mapei Stadium”: në të 5′ Shaqiri hodhi dy herë topin në zonë, aty ku Donor dhe Vidiç i shkuan shumë pranë golit. Nga ana tjetër, vendësit u kundërpërgjigjën fort duke përfituar nga dobësitë e mbrojtësve të krahut interist (Donkor dhe Dodo i dhanë përparësi sulmit duke harruar fazën mbrojtëse). Pas 17 minutash lojë vendësit gjetën edhe avantazhin. Zaza mori topin në hyrje të zonës, përfitoi nga gabimit i Vidiçit (s’e markoi si duhet, pasi i dha mundësi që të kthehej dhe të godiste me këmbën e preferuar) dhe mposhti Handanoviçin me këmbën e majtë. Pas këtij episodi, gjërat u përkeqësuan për Interin që nuk reagoi si duhet (në të 22′ Kovaçiç, i vetëm përballë Konsiljit, në vend që të godiste, ia pasoi topin keq Podolskit). Më pas, në të 30′ skuadra e Di Françeskos do të gjente edhe golin e dytë. Sansone, i “harruar” nga Palasio, mori topin në hyrje të zonës dhe mposhti Handanoviçin me një goditje të bukur dhe topi, pasi preku traversën, pushoi në rrjetë.
“Të dëshpëruar” – Fraksioni i dytë i lojës nisi me një ndryshim nga ana e Mançinit. 50-vjeçari e ktheu në mbrojtjen me tri vetë skuadrën, ashtu siç luante Maxarri. Ndërkohë që skema e re (3-4-1-2) i dha Interit mundësi që të mbante topin (theu rekordin personal këtë sezon). Shaqiri në rolin e fantazistit ia doli që ta zgjonte ekipin duke goditur shtyllën në të 65′. Ikardi, pasi i mori vendin “fantazmës” të Podolskit, u dha shpresë zikaltërve. Pak minuta para fundit, 21-vjeçari përfitoi nga kthimi i gabuar i topit që bëri Manxhaneli dhe shënoi gol. Pas këtij episodi, Sasuolo u tregua shumë pak sportive duke vonuar lojën. Ndërsa kryesori u kthye në protagonist dhe nxori jashtë loje Sansonen (rrëzoi Shaqirin edhe loja ishte ndalur) dhe Donkorin. Zikaltri i ri u ndëshkua pasi i ndërhyri keq Zazës në zonë. Në pikën e bardhë të penalltisë u prezantua Berardi, i cili mposhti lehtë Handën. Në fund të lojës tifozët kontestuan fort beniaminët e tyre që lejuan Sasuolon të mposhte për herë të parë në histori e vet Interin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"