Sarri shkëmben sms me Guardiolën, Napoli i Hysajt do mrekullinë në Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2017 | 13:11

Sarri shkëmben sms me Guardiolën, Napoli i Hysajt do mrekullinë në Champions

Ëndrra e madhe e Elseid Hysajt këtë sezon është titulli kampion në Itali, por sigurisht që edhe rrugëtimi sa më i gjatë në Ligën e Kampionëve nuk bën keq. Nëse për objektivin e parë është në rrugën e duhur, për këtë të dytin duhet një mrekulli. Me mbrojtësin e Kombëtares shqiptare si titullar në krahun e majtë të mbrojtjes, trajneri Sarri do të tentojë të kualifikohet për në fazën e 1/8-ave, edhe pse fatin nuk e ka vetë në dorë. Një sy duhet të jetë nga Ukraina, ku Siti duhet t’u bëjë një nder.

Hysaj-1

SI KUALIFIKOHET – Tri humbje në 5 ndeshjet e para në fazën e grupeve kanë ndërlikuar jo pak objektivin e Napolit për t’u kualifikuar. Aktualisht skuadra, ku aktivizohet Hysaj, e sheh veten në vendin e tretë të grupit, me një distancë prej 3 pikësh me Shahtjorin që renditet në vendin e dytë. Napolit i duhet patjetër fitore ndaj Fejnordit dhe të shpresojë që Siti do të mundë Shahtjorin. Ky është kombinimi i vetëm që mund të kualifikojë ekipin italian në fazën e ardhshme të Champions-it.

Manchester City v SSC Napoli - UEFA Champions League

Nga renditja me barazim pikësh mes Napolit dhe Shahtjorit do të përfitojnë italianët, pasi në ndeshjen direkte kanë fituar me rezultatin 3-0, kundrejt humbjes 1-2 në Ukrainë. Çdo rezultat tjetër që do të prodhojnë dy ndeshjet do ta lërë jashtë Napolin dhe do të kualifikojë ukrainasit. Për këtë ndeshje, Napoli do t’i bëjë llogaritë pa Insinjen të dëmtuar.

SARRI – Trajneri Mauricio Sarri thotë se ka shkëmbyer mesazhe gjatë kësaj kohe me Guardiolën. “Unë flas shpesh me të dhe shkëmbej mesazhe për futbollin, por jo për atë që do të ndodhë nesër (sot). Jam i sigurt që do provojë të fitojë sepse kërkon rekord pikësh. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë për ta fituar ndeshjen.

59fae5372ee40f1248000001

Kemi shumë mungesa dhe prej kohësh nuk aktivizoj dot lojtarë si Milik dhe Gulam. Tani edhe Insinje. Nuk jam ankuar kurrë për këtë situatë. Nuk e kemi humbur kampionatin, sepse do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund. Humbja me Juventusin nuk është dramatike. Fillimisht të mendojmë për kualifikimin në Champions dhe pastaj për kampionatin. Sezoni është i gjatë dhe do të luajmë shumë ndeshje të tjera”, tha Sarri.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"